Fran Marashi mohon akuzat për ngjarjen e 97-ës

Masakra e Urës Vajgurore në vitin 1997, ku mbetën të vrarë 6 punonjës policie dhe u plagosën 5 të tjerë është rikthyer sërish në vëmendje, përmes një prej të dënuarve si autor të asaj ngjarje, Fran Marashit. Ka qenë ky i fundit i cili ka kërkuar të rihapë çështjen penale ndaj tij, kërkesë e cila ka marrë dritën jeshile për t’u rigjykuar në Gjykatën e Posaçme.

I dënuar përjetë për atë ngjarje, Fran Marashi nisi tentativat e tij për rigjykim në vitin 2013 përmes një kërkese në Gjykatën e Tiranës. Kjo kërkesë u ngrit në atë kohë me pretendimin se ai ishte dënuar padrejtësisht dhe se vendimi për burgosjen e tij përjetë është bërë pa qenë në dijeni.

Kjo e martë ishte përcaktuar nga Gjykata e Posaçme si dita për zhvillimin e seancës së parë, por gjyqtari i çështjes e shtyu atë për shkak se nuk kishin marrë njoftim familjarët e viktimave për t’u paraqitur. Fran Marashi u arrest në vitin 2001 në Itali dhe 6 vite më vonë u ekstradua drejt vendit tonë. Ai është mes 8 personave të dënuar për atë masakër.

Në vitin 2009, Marashi tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.

Tv Klan