Këtë të Hënë kanë dalë para togave të zeza në GJKKO Safet Bajri, vëllai i tij Behar Bajri dhe Astmer Bilali. Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, aktualisht seanca gjyqësore është ndërprerë. Shkak është bërë mungesa e gjyqtares së çështjes.
“Gjyqtarja që ka firmosur urdhër-arrestet Eva Dedaj ka qenë në një udhëtim jashtë vendit, sepse vendimi është firmosur që në datën 17 Shkurt 2025. Ajo i kishte deleguar kompetencat gjyqtares Irena Gjoka. Por duke qenë se Dedaj është kthyer në vend mbrëmë në orët e vona, thjesht për shkaqe proceduriale sa të bëhet kalimi i akteve të dosjes nga njëra gjyqtare tek tjetra”, bëri me dije Daci.
Masa e sigurimit ndaj tyre u lëshua për akuzën e organizimit dhe vrasjes së Fatbardh Licit në Gusht të vitit 2018. Safet Bajri u arrestua të Premten, ndërsa dy të tjerët aktualisht ndodhen në qeli për dosjen “Metamorfoza”.
Prokuroria e Posaçme sqaroi në një komunikim zyrtar se kishte arritur të dokumentonte që vrasja e Fatbardh Licit, ishte organizuar pasi Behar Bajri bënte përgjegjës Ibrahim Licin, nipin e Fatbardhit për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana dhe të gruas së tij. Dy të fundit u vranë në makinë në sy të fëmijës së tyre të mitur në korrik të po atij viti dhe ishin njohje e ngushtë e Bajrit.
Një seri vrasjesh u konsideruan prej vitesh në kryeqendrën e veriut si pasojë e përplasjes së dy familjeve Bajri e Lici, por kjo është dosja e parë, ku hetuesit thonë se kanë prova që e dokumentojnë.
/tvklan.al