Virusi Covid-19 rezulton të ketë qenë aktiv në Itali, disa muaj përpara se të identifikohej. Të dhënat vijnë nga një studim i ri i realizuar nga ekspertët, që ngrenë më shumë pyetje rreth origjinës së vërtetë të virusit, shfaqjes për herë të parë dhe zgjatjes së pandemisë.
Studimi në fjalë u realizua nga shkencëtarët në Institutin e Kancerit në Milano dhe Universiteti i Sienës dhe u publikua në revistën Tumori. Puna kërkimore u bazua në analizat e gjakut të 959 personave, të mbledhura gjatë testimeve të mushkërive tek pacientët e prekur nga kanceri, mes Shtatorit 2019 deri në Mars të 2020.
Më shumë se 11 përqind e të testuarve, 111 persona, rezultoi se kishin antitrupa specifikë të koronavirusit. Të gjithë të testuarit ishin persona asimptomatikë dhe nuk kishin shfaqur asnjë shenjë të sëmundjes. 23 nga personat që rezultuan pozitivë, datojnë në Shtator të 2019-s, që sugjeron se virusi në fakt ka qenë prezent në këtë vend të paktën që prej verës së shkuar, rreth 6 muaj përpara se pandemia të ‘niste’ dhe të ‘mbërrinte’ në Itali.
Të dhënat e reja duket se mbështesin kështu dyshimet e ngritura edhe më herët se koronavirusi i shfaqur në qytetin kinez të Wuhan-it në Dhjetor të 2019-s dhe që u shndërrua në pandemi në Janar të 2020, mund të ketë qarkulluar më herët.
Të dhënat e studimit italian janë të rëndësishme pasi janë të bazuara në analiza gjaku. Përfundimet e studimit janë konsistente me simptoma të rënda respiratore dhe një “grip atipik” tek të moshuarit në Itali, gjatë fundit të 2019-s. Një tjetër studim i publikuar nga shkencëtarët italianë në Qershor, tregonte për gjurmë të koronavirusit të gjetur në ujërat e zeza, që në Dhjetor.
Të dhëna të ngjashme janë zbuluar nga shkencëtarët edhe në shtete të tjera. Në Spanjë shkencëtarët thonë se kanë gjetur gjurmë të virusit në ujërat e zeza që prej Marsit të 2019-s.
Analizimi i të dhënave në spitale nga 2019-ta në SHBA, sugjeron gjithashtu se kishte pasur një numër të pazakontë pacientësh me ‘grip’, shumë prej të cilëve kishin kollë të fortë dhe simptoma të tjera të rënda respiratore./tvklan.al