Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut sot do të mbajë seancën e 32-të ku një ndër pikat e rendit të ditës është edhe iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve në lidhje me Dekretin për shpalljen e tij, të ligjit në tërësi, si dhe veçmas 25 nenet e ligjit.
BDI në prag të seancës ka filluar “roje për gjuhën” me prezencë 24-orëshe para Gjykatës Kushtetuese ku thonë se qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova u tha liderëve partiakë që të përmbahen nga komentet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, ndërsa Kryeministri Hristijan Mickoski në një porosi për qytetarët tha që të mos bien pre e provokimeve të BDI-së, që siç tha ai, “sillen si brejtës politikë”.
Aktivistë të BDI-së më 8 Dhjetor u mbledhën para Kushtetueses, që siç ka bërë të ditur zyrtari i partisë Arbër Ademi, do të qëndrojnë deri sot kur do të mbahet seanca për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ademi ka thënë se me iniciativën “Roja e gjuhës”, me prezencë 24-orëshe para Gjykatës Kushtetuese, qëndrojnë në “mbrojtje të Ligjit për gjuhët”. /klanmacedonia