Kryeministri Edi Rama ka bërë një inspektim në laboratorin e mediave dixhitale që do të shërbejë për praktikat mësimore të studentëve të Gazetarisë dhe jo vetëm. I gjendur përballë dy studenteve të Gazetarisë, Kryeministri Rama ka zhvilluar një podcast ku është pyetur për shumë çështje të aktualitetit.
Një ndër çështjet e trajtuara ka qenë edhe mbyllja e rrjetit social “TikTok”, për të cilin ka thënë se për momentin mbyllja e tij në Shqipëri është zgjidhja e vetme teksa ka shtuar se janë në dialog me përfaqësues të platformës që këta të fundit të paraqesin disa propozime.
Edi Rama: Për momentin ne nuk kemi një zgjidhje tjetër, jemi në dialog me TikTok-un, kemi parashtruar shqetësimet tona. Kemi rënë dakord që kur ata të jenë gati do të na paraqesin disa propozime për t’i adresuar këto shqetësime. Një nga pikat është se TikTok-u nuk e ka filtrin për Gjuhën Shqipe. Nëse në një gjuhë tjetër nuk arrijnë sot fjalët që nuk duhet përdorur që të zënë hapësirën e TikTok, në shqip duke mos qenë filtri… Edhe pse është një sfidë në vete që t’i mundësh të rinjtë në këtë fushë, nuk do e kenë të lehtë me VPN-në e një shteti tjetër.
Në lidhje me largimin e të rinjve shqiptarë nga vendi, Kryeministri Rama ka thënë se duhet punuar me shumë këmbëngulje dhe durim që kjo të mos ndodhë.
Edi Rama: Duhet të punojmë me këmbëngulje dhe të bëjmë durim sepse kapërcimet e atilla që Shqipëria të jetë në gjendje të ju ofrojë të rinjve që duan të ikin, nuk bëhen nga dëshira. Kalimi nga një laborator i vjetër, tek ky, është një hap më shumë drejt stimulimit tuaj për të pasur më shumë dëshirë për të ju përkushtuar këtyre instrumentave të rinj që kemi këtu dhe për t’u ndjerë më mirë këtu në vendin tuaj, hap pas hapi.
E parë me sytë e një piktori, Kryeministri Rama e ka krahasur politikën shqiptare me një kaos koloristik.
Edi Rama: Unë nuk mendoj se e zeza është fajtore meqë është e zezë. Politika shqiptare i ka të gjitha ngjyrat, nga më të zbehtat, tek më të ndezurat. Një kaos koloristik.
/tvklan.al