“S’kemi kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht për ngërçin e krijuar mes dy anëtareve Marsida Xhaferllari dhe Arta Vorpsi.
Në reagim e Gjykatës sqarohet se ky institucion nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje lidhur me rezolutën e Kuvendit, ku kërkohet që të mos njihet dekreti i Presidentit Ilir Meta për Marsida Xhaferllarin, por të njihet Arta Vorpsi si anëtare.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese duket se nuk e njeh Vorpsin si anëtare, por Marsida Xhafellarin, pasi kjo e fundit bëri betimin para Presidentit të Republikës kurse Arta Vorpsi u betua përpara një notereje.
“Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një ditë më parë, në Presidencë u betuan Fiona Papajorgji, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.
Deklarata zyrtare e Gjykatës Kushtetuese:
Jemi njohur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sot, në datën 15.11.2019, për “Shmangien e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.
Në citim të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës.
Për sa më sipër, lidhur me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese sqaron se, edhe pas plotësimit të disa prej vakancave në përbërjen e saj, nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore lidhur me kërkesat që paraqiten përpara saj. Për këtë arsye ajo nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj thelbësore apo juridiksionale lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës. /tvklan.al