Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar disa nene të ligjit për komisionet hetimore, që u miratuan disa muaj më parë nga mazhoranca sociale. Ka qenë opozita që e çoi në Kushtetuese ligjin për komisionet hetimore, duke kërkuar rrëzimin e tij pasi e konsideron antikushtetuese.

Në vendimin e sotëm të GJK janë rrëzuar nenet 4, 7 dhe 9 të ligjit për komisionet hetimore.

Konkretisht, neni 4 që ka të bëjë me krijimin e komisionit hetimor me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”, sipas Gjykatës Kushtetuese cënon të drejtën e opozitës për ngritjen e këtyre komisioneve.

Neni 7 konsiderohet antikushtetues për shkak të vendimit të ndërmjetëm për marrjen e provave, që mund të refuzohen. Kështu, argumenton Kushtetuesja, provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Nëse opozitës i refuzohet nga komisioni marrja e një prove, ka të drejtën ta çojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Neni 9 që ka të bëjë me me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë, konsiderohet si i papajtueshëm me Kushtetutën. Kjo për shkak se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve.

Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot më 09.07.2024, mori në shqyrtim çështjen e paraqitur nga 33 deputetë me objekt shfuqizimin e ligjin nr. 106/2023, që ndryshoi disa dispozita të ligjit nr. 8891/2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore”.

Gjykata vlerësoi, fillimisht, se për pretendimet për procedurën e miratimit të ligjit nr. 106/2023 kërkuesi nuk ka parashtruar argumente të nivelit kushtetues. Asnjë nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk është argumentuar në drejtim të cenimit të normave kushtetuese. Për më tepër, mungesa e shqyrtimit të nismave të dy deputetëve të tjerë nuk është provuar të ketë prekur pajtueshmërinë e ligjit të kundërshtuar me Kushtetutën.

Në lidhje me themelin e çështjes, Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës, si më poshtë:

  1. Njëzëri, konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të nenit 4 të ligjit nr. 106/2023, që lidhet me nismën për krijimin e komisionit hetimor, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e kësaj dispozite. Boshllëku ligjor ka të bëjë me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”, siç është shprehur Gjykata në jurisprudencën e saj (vendimi nr. 30/2014), pasi cenon, në thelb, të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata, pa vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj, vëren se, edhe pse gjatë gjykimit u konstatua se kjo dispozitë ka pasur si qëllim të reflektojë jurisprudencën kushtetuese, ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera  të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.

Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare.

Gjykata theksoi se kontrolli parlamentar është i lidhur me legjitimitetin e drejtpërdrejtë demokratik të Parlamentit dhe nëpërmjet tij merr legjitimitet edhe vetë qeverisja.

  • Me shumicë votash, konstatimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën të përmbajtjes së nenit 7 të ligjit nr. 106/2023, që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e tij, për sa kohë ky formulim nuk përmban garanci të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar. Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike.

Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese.

  • Me shumicë votash, shfuqizimin e nenit 9 të ligjit nr. 106/2023, që ka shtuar pikat 1/2 dhe 2/4 në nenin 16 të ligjit për komisionet hetimore, që lidhen, përkatësisht, me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë.

Gjykata, duke mbajtur në konsideratë se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve. 

Për sa më sipër, Gjykata arriti në këtë përfundim për shkak të paqartësisë në formulimin e këtyre parashikimeve ligjore.

Në lidhje me pikën 1/2, Gjykata vlerësoi se formulimi nuk është i qartë në drejtim të parimit të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, si dhe nevojës për këtë ndërhyrje. Qëllimi i ruajtjes së sekretit hetimor mund të përmbushet nga pyetja e dëshmitarëve me dyer të mbyllura.

Kurse në lidhje me pikën 2/4, Gjykata vëren se ndonëse në thelb duket se i referohet përmbajtjes së nenit 32 të Kushtetutës, lidhur me garantimin e së drejtës kushtetuese për të mos deklaruar kundër vetvetes ose familjes së vet, kjo e drejtë është e zbatueshme në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm nga norma kushtetuese, por garantohet edhe në kuadër të parimit të procesit të rregullt ligjor, sipas përmbajtjes së nenit 3, shkronja “b”, të ligjit nr. 106/2023. Në çdo rast ajo plotësohet edhe nga garancitë që ofron Kodi i Procedurës Penale, i cili është i zbatueshëm në procedurën hetimore të kontrollit parlamentar.

  • Me shumicë votash, interpretimin pajtues të nenit 6, pika 3, shkronjat “c” dhe “d”, të ligjit nr. 106/2023, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj Gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.

Gjykata vlerëson të theksojë se në trajtimin e pretendimeve dhe prapësimeve mbi këtë dispozitë ballafaqohen e drejta për informim dhe transparencë e organeve të zgjedhura, në kuptim të nenit 23, pika 3, të Kushtetutës, në raport me të drejtat e tjera të njeriut (siç janë ajo e jetës private, personale, jetës, shëndetit etj.). Gjykata arriti në përfundimin se, si rregull, veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim. 

Përveç sa më sipër, në lidhje me “sekretin tregtar”, sipas shkronjës “c”, Gjykata vlerësoi se në zbatimin e kësaj dispozite duhet të zbatohet përkufizimi i tij sipas legjislacionit në fuqi. Ndërsa në lidhje me “sekretin në interes të shtetit”, sipas shkronjës “d”, Gjykata vlerësoi se ai duhet të interpretohet si çdo e dhënë e parashikuar si informacion i klasifikuar në bazë të ligjit, përfshirë edhe “sekretin hetimor”.  

Për sa u përket dispozitave të tjera të ligjit nr. 106/2023 të kundërshtuara nga kërkuesi, Gjykata vlerësoi rrëzimin e tyre si të pabazuara.


/tvklan.al