Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka urdhëruar pezullimin paraprak nga detyra të Drejtorit të Policisë Rrugore, Altin Qato.
Urdhri erdhi pas publikimit të një videoje në rrjete sociale dhe në media, ku drejtori Qato shfaqet duke qëlluar me shuplakë një qytetar.
Policia sqaron në një njoftim të saj se ndaj drejtorit Qato ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, hetim, i cili do të kryhet në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia sqaron se qytetarët që shfaqen në video nuk ishin pjesë e protestës që po zhvillohej nga banorët e zonës në aksin rrugor Thumanë-Kashar, por udhëtonin me mjetin e tyre në drejtim të Tiranës, duke kryer manovra në rrugë dhe kundërshtuar e ofenduar punonjësit të Policisë Rrugore, të cilët i kanë këshilluar për të ulur shpejtësinë dhe për të qëndruar në rradhë deri sa të normalizohej lëvizja.
Edhe pas këshillimit nga ana e punonjësve të Policisë Rrugore, këta shtetas kanë vijuar t’i bien pa pushim borive të makinave, duke shkaktuar shqetësim te përdoruesit e tjerë të rrugës dhe njëherazi irritim të tyre.
Dy qytetarët janë shoqëruar nga policia dhe janë proceduar penalisht për “Mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Klan News