Në 10 muajt e vitit 2024 janë shënuar më shumë aksidente se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga Janari deri në fund të Tetorit janë shkaktuar 1370 aksidente nga 961 që ishin 10 muajt e vitit 2023.

Gjatë kësaj periudhe kanë humbur jetën 133 qytetarë, 19 më pak se viti i shkuar, por rritje ka pasur numri i të plagosurve. Drejtori i policisë rrugore Altin Qato në një intervistë për Klan Nevvs tha se ka pasur rritje të numrit të këmbësorëve të përfshirë në ngjarje rrugore.

Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore: Një fenomen shqetësues gjatë kësaj periudhe ka të bëjë me humbjen e jetëve të këmbësorëve. Kemi aksidente me mjete monopatina, por shqetësim kryesor tek ta është kaosi në përdorim, pra shkelja e rregullave të përdorimit kurse numri i aksidenteve më shqetësues është tek këmbësorët.

Policia rrugore dhe drejtoria e transporteve organizuan një takim në kuadër të javës ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të aksidenteve. Drejtori i transportit rrugor thotë se numri në rritje i aksidenteve ngre si domosdosshmëri bashkëpunim mes institucioneve. 

Ilir Mengra, drejtor i Transportit Rrugor: Duhet t’i shohim shifrat e aksidenteve jo si një statistikë, por si një thirrje për të vepruar të gjithë së bashku për të përmirësuar sigurinë rrugore. Të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë ne më shumë për të nxjerrë përgjegjësitë tona të përbashkëta për të krijuar një kulturë të re të kujdesit dhe respektit të drejtimit të automjeteve sidomos për drejtuesit e rinj.

Aktiviteti për përkujtimin e viktimave të aksidenteve organizohet çdo vit nga disa institucione dhe ka si qëllim edukimin mbi problemet e qarkullimit rrugor, dhe sensibilizimin për respektimin e rregullave.

Klan News