Google deklaroi këtë të hënë se ka kapërcyer një sfidë në llogaritjen kuantike me një gjeneratë të re çipi, i cili do të zgjidhë një problem kompjuterik në pesë minuta.
Ashtu sikurse gjigantët e tjerë të teknologjisë si Microsoft dhe IBM, Google dhe Alphabet po ndjekin “rrugën” e llogaritjes kuantike. Pasi kjo e fundit premton shpejtësi kompjuterike shumë herë më të lartë se sistemet e tjera aktuale.
Google shpreson se kompjuterët kuantikë do të arrijnë të zgjidhin në të ardhmen probleme në fushën e mjekësisë, kimisë apo dhe Inteligjencës Artificiale, që kompjuterët e sotëm nuk janë në gjendje ta bëjnë.
Rezultatet e publikuara të hënën erdhën nga një çip i ri i quajtur Willow që ka 105 “qubits” ( njësia bazë e informacionit në llogaritjen kuantike), të cilët janë blloqet e ndërtimit të kompjuterëve kuantikë. Kubitët janë të shpejtë, por të prirur ndaj gabimeve, sepse ato mund të shtyhen nga diçka aq e vogël sa një grimcë nënatomike në hapësirën e jashtme.
Ndërsa më shumë kubit paketohen në një çip, këto gabime mund të shtohen për ta bërë çipin jo më të mirë se një çip kompjuterik konvencional. Pra, që nga vitet 1990, shkencëtarët kanë punuar në korrigjimin e gabimeve kuantike.
Në një punim të botuar në revistën “Nature” të hënën, Google tha se ka gjetur një mënyrë për të bashkuar kubitët e çipit Willow në mënyrë që normat e gabimit të ulen ndërsa numri i kubitëve rritet. Kompania thotë gjithashtu se mund të korrigjojë gabimet në kohë reale.
Disa nga rivalët e Google po prodhojnë çipa me një numër më të madh kubitësh sesa Google, por kjo e fundit është e fokusuar në prodhimin e kubitëve më të mirë./tvklan.al