Befasi të shumta në listën e të grumbulluarve të kombëtares shqiptare të femrave për dy ndeshjet kualifikuese të Europianit, Zvicër 2025. Trajneri Armir Grima ka ftuar 20 futbollistë për takimet ndaj Estonisë dhe Luksemburgut, ku bien në sy edhe risitë.

Kombëtares i bashkohen dy futbolliste mjaft të talentuara, të cilat premtojnë shumë për të ardhmen e ekipit të vajzave. Xhesika Ndoj, e cila aktivizohet me ekipin e Apolonisë dhe Klesta Ago, e cila luan me Tiranën janë ftuar për herë të parë nga trajneri Grima dhe do të jenë pjesë e Kombëtares kuqezi.

Përfaqësuesja kuqezi do të grumbullohet në Tiranë, teksa përgatitjet do t’i zhvillojë në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe në stadiumin ‘Selman Stërmasi’. Më 29 Maj, Kombëtarja do të udhëtojë drejt Estonisë, ku më 31 Maj do të luajë edhe ndeshjen e tretë të grupit ndaj vendaseve, në stadiumin “Le Coq Arena” në ora 17:00.

Ndërkaq, më 4 Qershor, Shqipëria do të presë në stadiumin “Elbasan Arena” ekipin e Luksemburgut. Takimi është planifikuar të luhet në ora 18:00, teksa dyert e stadiumit do të jenë të hapura për të gjithë tifozët shqiptarë. Aktualisht, Shqipëria e femrave renditet në vendin e dytë të grupit C5, në kuotën e 3 pikëve, me një ndeshje të fituar ndaj Estonisë (2-0) dhe një takim të humbur ndaj Luksemburgut (1-2).

Klan News