Përveç se doli nga burgu, ish-futbollisti brazilian Dani Alvez tejkaloi një tjetër situatë të vështirë, atë me bashkëshorten e tij.
Pas javësh spekulimesh, modelja Joana Sanz hodhi poshtë çdo dyshim për një krizë në raportin e tyre duke shpërndarë këtë fotografi në rrjetet sociale, ku shihet duke mbajtur dorën e Alves, e duke konfirmuar se ata janë ende bashkë. Joana Sanz kishte kërkuar më herët divorcin pas arrestimit të Alves, pasi ky i fundit pranoi për herë të parë se kishte kryer marrëdhënie me vajzën me të cilën u shpall fajtor për përdhunim.
Postimi i modeles së njohur bëri bujë në rrjetet sociale, ku pati shumë komente nga përdoruesit që nuk e kuptojnë se si ajo mund të vazhdojë një lidhje dashurie me Alves, i cili u dënua për akuzën e përdhunimit.
Ish-lojtari i Barcelonës u lirua nga burgu një javë më parë pas 15 muajsh pas hekurave në pritje të gjykimit të tij për rastin e përdhunimit të një vajze 23-vjeçare në dhjetor 2022. Sipas BBC, kushtet e lirimit të tij përfshijnë dorëzimin e të dyja pasaportave, asaj braziliane dhe spanjolle. Ai po ashtu duhet të paraqitet në gjykatë çdo javë. Gjykata gjithashtu caktoi një urdhërmbrojtje, që e ndalon ish-futbollistin t’i afrohet 23-vjeçares me të cilën abuzoi.
Klan News