Pas 14 muajsh në qeli, Dani Alves mund të largohet nga burgu. Gjykata e Barcelonës ka vendosur që ish-futbollsiti i njohur të lirohet, ndërsa është dënuar me 4.5 vite për sulm seksual.
Lirimi, në pritje të dënimit përfundimtar, do të bëhet i mundur me anë të një garancie prej 1 milionë eurosh. 22 shkurtin e kaluar, gjykata e Barcelonës e shpalli fajtor sportistin për sulm seksual ndaj një vajze.
Ngjarja ndodhi në klubin e natës “Suton” në Barcelonë më 30 dhjetor 2022. Gjykata urdhëroi tërheqjen e pasaportave spanjolle dhe braziliane të Dani Alves. Ish-mbrojtësit të suksesshëm nuk i lejohet as që të largohet nga Spanja.
Dani Alves duhet që t’i qëndrojë të paktën 1 km larg viktimës dhe e ka të ndaluar që të komunikojë me të, me çfarëdolloj mjeti. 40 vjeçari duhet që të paraqitet çdo javë në gjykatë.
Të gjitha palët e përfshira, mbrojtja, avokatët e viktimës dhe prokuroria spanjolle kanë tri ditë kohë që të apelojnë vendimin e dhënë nga gjykata.
Klan News