Një gjykatë në Spanjë vendosi që Dani Alves mund të lirohet nga burgu, pasi ka shlyer rreth një të katërtën e dënimit për akuzën e përdhunimit. Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Brazilit, i cili u dënua me 4 vjet e gjysmë burg muajin e shkuar, do të lirohet në këmbim të një garancie pasurore prej 1 milion eurosh.
Përpara dënimit ai u mbajt në paraburgim që prej Janarit të vitit 2023. Sipas BBC, kushtet e lirimit të tij përfshijnë dorëzimin e të dyja pasaportave, asaj braziliane dhe spanjolle. Ai po ashtu duhet të paraqitet në gjykatë çdo javë. Gjykata gjithashtu caktoi një urdhërmbrojtje, që e ndalon ish-futbollistin t’i afrohet 23-vjeçares me të cilën abuzoi.
Avokati i Alves e bazoi kërkesën për lirimin e klientit të tij nga burgu tek fakti që ai kishte shlyer një të katërtën e dënimit gjatë kohës që ishte në paraburgim. Vendimi, i cili nuk ishte unanim për shkak të votës kundër të njërit prej gjyqtarëve, mund të apelohet.
Gjatë procesit gjyqësor, prokurorët thanë se Alves dhe miqtë e tij kishin blerë shampanjë për 3 vajza të reja, përpara se ish-futbollisti të joshte njërën prej tyre në zonë VIP të një lokali nate, me një tualet, për të cilët ajo nuk kishte dijeni. Ata u përfshinë në një zënkë e në këtë pikë sherri u bë i dhunshëm dhe Alves e detyroi 23-vjeçaren të kryente marrëdhënie seksuale pavarësisht kërkesës së saj të vazhdueshme për t’u larguar.
Alves pretendoi se ajo mund të ishte larguar, nëse dëshironte. Megjithatë gjykata doli në përfundimin se akti ishte bërë pa dëshirën e vajzës. Në një deklaratë, gjykata tha se kishte prova të tjera përveç dëshmisë së viktimës, që tregonin se ajo ishte përdhunuar. Gjykata tha se Alves e kishte kapur me forcë të renë dhe e kishte hedhur përtokë, duke e mbërthyer për të mos e lejuar të lëvizte, ndërkohë që 23-vjeçarja e kundërshtonte.
Vetë Alves e ndryshoi dëshminë e tij disa herë. Fillimisht mohoi që e njihte vajzën në fjalë, më pas deklaroi se e kishte takuar në tualet, por mohoi që mes tyre të kishte ndodhur ndonjë gjë. Më pas tha se kishin pasur marrëdhënie seksuale, konsensuale.
Alves luajti më shumë se 400 herë me Barcelonën duke fituar 6 tituj në kampionatin spanjoll dhe 3 Champions League. Ai ishte po ashtu pjesë e skuadrës së Brazilit në Kupën e Botës 2022./tvklan.al