Hungaria i ka dhënë azil politik ish-kryeministrit maqedonas Gruevski në kohë rekord. Ministri i Drejtësisë László Trócsányi paralajmëron mundësinë e largimit të shpejtë të Gruevskit nga Hungaria.
Në Hungari nuk mund të marrë pothuajse askush azil politik, në qoftë se nuk është “refugjati VIP i Orbanit”. Kështu e quajnë politikanët opozitarë ish-kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevskin, i cili ka ikur nga vendi i tij për shkak të dënimit me burg në kohëzgjatje prej dy vitesh. Gruevski ka ikur në Hungari përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, pas dënimit në Shkup për shkak të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Ai fitoi azilin politik në Hungari në një afat rekord. Në rastet e tjera kalojnë me javë të tëra deri sa një person të paraqesë kërkesën për azil.
Gruevski ka paraqitur të martën kërkesën për azil, ndërsa vetëm gjashtë ditë më vonë është miratuar kërkesa e tij, bën të ditur ai vet në faqen e tij të Facebookut. Këtë lajm e ka botuar edhe gazeta hungareze e afërt me qeverinë, Magyar Idök.
Autoritetet hungareze ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë lajm. Ato nuk janë përgjigjur në kërkesën e DW për shpjegim. Por në Hungari nuk është ndonjë sekret se gazeta Magyar Idök është shumë e afërt me qeverinë. Një lloj konfirmimi indirekt erdhi megjithatë të martën në mbrëmje, kur ministri i Drejtësisë László Trócsányi, tha për televizionin Echo TV se Gruevski prej këtij momenti mund të lëvizë i lirë, sepse Hungaria nuk do ta ekstradojë në Maqedoni. Në këtë mënyë Trócsányi paralajmëroi edhe mundësinë që Gruevski të largohet shumë shpejtë nga Hungaria.
Pse mori azil Gruevski ?
Nëse është e vërtetë ajo që Gruevski shkruan në faqen e tij të Facebookut dhe që raporton Magyar Idök atëherë shtrohet pyetja, mbi bazën e çfarë përndjekjeje politike ka fituar Gruevski azilin politik? Ai thotë se jeta e tij është në rrezik dhe se ka pasur kërcënime se mund të vritet në burg, shkruan në rrjetet sociale. Gruevski pohon se procesi gjyqësor është më qëllime politike dhe se në vendin e tij po zhvillohet një lloj “gjahu i shtrigave”.
Por përfaqësuesit e partive politike opozitare në Hungari janë të mllefosur me këtë vendim. Të hënën në parlamentin hungarez është parë edhe një pano e opoztiarëve ku shkruante: „Migranti VIP i Organit”. Deputetja e partisë ekologjiste-liberale në opozitë, Márta Demeter, e quan Orbanin një “Kumbarë politik” i Gruevskit. Viktor Orbani dhe qarqet rreth tij janë shndërruar në “mbështetës të krimit të organizuar ndëkombëtar”. Ndërsa politikani opozitar Lajos Bokros e quan qeverinë e hungarisë si “Qeveri mafioze”, e cila “mbështetë krimin”.
Zëdhënësi i partisë Fidesz të Viktor Orbganit, János Halász, i ka hedhur poshtë kritikat dhe i ka quajtur si një “cirk”, sepse “Gruevski nuk është ndonjë terorist, pro një person i përndjekur politikisht, që kërkon mbrojtje”.
Ndërkohë në Hungari është shpjeguar pothuajse deri në fund rruga që ka kaluar Gruevski prej Maqedonisë deri në Hungari. Gazeta Magyar Idök ka konfirmuar në një raport ekskluziv përfytyrimet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Sipas tij, Gruevski ka kaluar prej Shqipërisë në Mal të Zi dhe më pas në mëngjesin e 12 nëntorit, në orën pesë të mëngjesit, ka kaluar pikëkalimin kufitar Horgosh, mes Serbisë dhe Hungarisë. Vuçiqi dhe mediat hungareze thonë se Gruevski ka kaluar kufirin me një dokument të lëshuar nga autoritetet e Hungarisë. Ky dokument shërben për një kalim të kufirit.
Ekspertët në Hungari thonë se futja e Gruevskit në Hungari dhe procedura e kërkimit të azilit prej vetëm disa ditësh është buzë legalitetit. Nuk është e qartë nëse Gruevski ka pasur të drejtë të ketë një dokument të tillë, pas dënimit në Maqedoni, thotë bashkë kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Hungari Márta Pardavi, për Deutsche Wellen. Ndërkohë që edhe procedura e kërkimit të azilit ka përfunduar tepër shpejt – gjë që nuk ka ndodhur kurrë në Hungari. Shikuar nga rregullat aktuale në Hungari, Gruevski do të duhej të dëbohej në Serbi, thotë Pardavi. Serbia konsiderohet si vend i sigurt i tretë, që nënkupton se personi që është futur përmes këtij vendi, duhet të kthehet atje automatikisht. Sfondi i vendimit ende nuk dihet, por Pardavi, beson se këtu kemi të bëjmë me një vendim politik.
/Deutsche Welle