Mediat bullgare hedhin dyshime se Nikolla Gruevski është larguar nga Hungaria. Sipas agjencisë së lajmeve “Fokus”, ish-kryeministri maqedonas mund të ketë udhëtuar drejt Rusisë ose Turqisë. Informacionin, agjencia bullgare thotë se e ka marrë nga burime brenda partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. Rusia dhe Turqia – thuhet në shkrim – janë destinacionet e preferuara të politikanëve të pakënaqur nga ky vend.

Rrezikun e largimit të Gruevskit nga Hungaria drejt Rusisë e Turqisë e paralajmëroi të premten edhe kryeministri Zoran Zaev. Megjithatë arratisja e tij është bërë subjekt i spekullimeve mediatike. Qeveria hungareze mohoi t’i ketë dhënë ndihmë Gruevskit për t’u arratisur, sikundër pretendojnë mediat vendase.

Portali Atlatzo hodhi dyshime se ish-kryeministri maqedonas kishte fluturuar nga Beogradi drejt Budapestit me avion personal të oligarkut hungarez Ishtvan Garançi, bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit Viktor Orban. Fluturimi është kryer më 14 Nëntor, një ditë pasi Gruevski njoftoi përmes Facebook-ut, kërkesën për azil. Mediat hungareze shkruajnë se nëse kjo është e vërtetë, qeveria hungareze ka shkelur ligjin që ka propozuar vetë për ndalimin e dhënies së azilit për të huajt.

Tv Klan