Inflacioni në Shqipëri për 3-mujorin e tretë të këtij vitit ka rritur në vlerën e 8%, më i larti i regjistruar ndonjëherë që prej vitit 1998.

Shifrat janë bërë të ditura nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë konferencës me temë “përballimi i inflacionit dhe pasiguritë e shtuara”.

Shkak i inflacionit në Shqipëri është bërë kriza energjetike që ka prekur të gjithë Europën, efektet e së cilës ndihen edhe në vendin tonë.

“Tashmë pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim po përballen me nivele inflacioni të paprecedenta për të disa dekada. As Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky realitet. Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur në nivelin 8% gjatë 3-mujorit të tretë, nivel ky më i lartë i regjistruar që nga viti 1998. Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kompleksin rajonal edhe atë evropian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë për familjet shqiptare, baza e inflacionit gjithashtu ka ardhur në rritje dhe në zgjerim. Tashmë pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni jashtë objektivit tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë më të lartë apo në rritje inflacioni, nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte që pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend. Identifikimi i reagimit të duhur ndaj kësaj goditje përbën një sfidë madhore për qeveritë, për bankat qendrore, për tregjet dhe ndërmjetësit financiarë, por dhe për bizneset dhe familjet shqiptare. Për qeveritë, tensioni ekonomik dhe social që inflacioni i lartë sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë, artikulohet në kërkesat e shtuara për mbështetje fiskale.

Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik përsa kohë financat publike janë nën presionin e pasigurisë për të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit. Për bankat qendrore, trajtimi i goditjeve të ofertës me origjinë të huaj paraqet një dilemë jo të vogël për faktin se këto goditje kanë ndikim të kahut të kundërt mbi aktivitetin ekonomik dhe mbi nivelin e çmimeve. Me çdo rast, politika monetare mbetet e ndërgjegjshme për balancën delikate që ekziston midis respektimit të objektivit primar të kontrollit të inflacionit me respektin e objektivit dytësor të zbutjes së luhatjeve ekomomike. Për tregjet dhe ndërmjetësit financiarë, nivelet e larta të inflacionit tentojnë të shoqërohen me rritje të pasigurisë duke sjellë nevojën e një rivlerësimi të ekspozimit ndaj rrezikut dhe rishikimit të strategjive të tyre të zhvillimit.

Së fundmi, për bizneset dhe për familjet, inflacioni i lartë përbën një sfidë për kostot e jetesës dhe biznesit por dhe një sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe planet e biznesit. Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë e ka identifikuar nivelin e lartë të inflacionit si rreziku primar për rritjen e qëndrueshme afatgjatë për vendin, rritjen e mirëqenies shoqërore dhe për kohezion social. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një normalizim gradual por të vendosur të qëndrimit të politikës monetare. Banka e Shqipërisë ka rritur 4 herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2022, duke e sjellë atë nga niveli minimal historik prej 0.5% në nivelin aktual 2.25%, deklaroi Gent Sejko.

Megjithatë, Guvernatori i BSH vlerësoi se siktori bankar është i qëndrueshëm dhe besimi i publikut te monedha vendase mbetet i lartë.

“Tregjet financiare janë relativisht të qeta. Sektori bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës, ndërkohë që besimi i publikut në monedhën kombëtare mbetet në nivele tejet të larta. Borxhi publik mbetet nën kontroll”. /tvklan.al