Erling Haaland nuk ka kërkuar që të largohet nga Manchester City. Madje klubi dhe futbollisi kanë nisur negociatat për të zgjatur kontratën, raporton spanjollja Marca.

Norvegjezi e ka të qartë se e ardhmja e tij e afërt është te klubi anglez.

Momenti që po kalon Manchester City nuk është më i miri për shkak të hetimit që ka nisur për mosrespektimin e rregullave të fair pleit financiar, por Haaland as nuk i shkon në mendje që të përfitojë nga situata.

Është e vërtetë që norvegjezi në të gjitha skuadrat ku ka qenë deri më tani, e ka pasur gjithmonë opsionin e zgjedhjes së momentit të largimit, duke nënshkruar klauzola shitjeje siç ndodhi për shembull te Salzburg dhe Borussia Dortmund.

Kontrata që ai nënshkroi me Citysens ka gjithashtu një klauzolë në të cilin thuhet se sulmuesi mund të vendosë se kur të largohet, po, kjo në këmbim të një shume parash që shkon në 70 milionë Euro, ndërsa nuk ështe e vlefshme për të gjitha klubet, sidomos ato nga Premiera.

Por ai moment duket se do të vijë më vonë dhe jo tani, në mes të kampionatit, për më tepër në një situatë delikate për ekipin e Guardiolës për shkak të sprovës që po i nënshtrohet.

Klan News