Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për kufijtë, Komisioneri Europian për Zgjerimin Johanes Hahn i merr si shembull pozitiv për vazhdimësinë e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.

“Kemi nevojë për politikanë të zotë në rajon. Kemi parë të tillë, për shembull kur vjen fjala për bisedimet për çështjen e emrit me Maqedoninë, ose me shumë gjasa nëse do të ketë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë për ripërcaktimin e kufijve dhe kjo është vendimtare për qytetarët”.

Duke folur në një takim në kuadër të samitit të Londrës, Hahn shprehet optimist se shumë shpejt Tirana dhe Athina do t’i japin zgjidhje mosmarrëveshjeve për çështje të lëna pezull. Ai shpjegon edhe arsyet pse procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor po zgjat më shumë nga sa ishte parashikuar.

“Prej shteteve të unionit janë të ashpër në veçanti pas eksperiencave që kemi pasur me anëtarësimet e reja, sepse ata kërkojnë të shohin jo thjesht përparim, por që ky përparim të jetë i pakthyeshëm. Kjo është edhe arsyeja pse negociatat e sotme dhe procesi i zgjerimit do të zgjasë më gjatë”.

Konferenca e Londrës është pjesë e procesit të Berlinit të nisur 4 vjet më parë. Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, partnerë të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit e institucioneve evropiane, u priten sot nga kryeministrja britanike, Theresa May, e cila prezantoi një pako masash për ndihmë për Ballkanin perëndimor.

Tv Klan