Presidenti i SHBA Donald Trump ka kërcënuar drejtpërdrejt grupin militant Hamas, se nëse nuk i liron të gjithë pengjet e mbetura nga Gaza deri në mesditën e së shtunës, Izraeli duhet të anulojë armëpushimin dhe “të lërë të shpërthejë lufta”.
Kjo vjen pasi Hamasi pezulloi lirimin e radhës të robërve të mbajtur në Gaza për një kohë të pacaktuar, duke akuzuar Izraelin për shkeljen e kushteve të marrëveshjes së armëpushimit, duke përfshirë vrasjen e palestinezëve dhe pengimin e shpërndarjes së ndihmës humanitare.
Izraeli e cilësoi vendimin një “shkelje të plotë” të marrëveshjes së armëpushimit, dhe thotë bëri të ditur se ushtria izraelite po përgatitet në “nivelin më të lartë të gatishmërisë për çdo skenar të mundshëm në Gaza”.
Qindra izraelitë, duke përfshirë të afërm të robërve, dolën në rrugët e Tel Avivit pas njoftimit, duke akuzuar Netanyahun për sabotim të marrëveshjes së armëpushimit për të zgjatur qëndrimin e tij në pushtet.
OKB-ja ka deklaruar se palët duhet të respektojnë marrëveshjet e arritura dhe është thelbësore që ato të respektojnë të gjitha aspektet përkatëse të marrëveshjes dhe të gjitha afatet kohore përkatëse. Në total, 17 pengje izraelite do të liroheshin, tetë prej të cilëve Izraeli thotë se janë të vdekur. Qindra të burgosur palestinezë janë liruar nga Izraeli në këmbim të pengjeve të liruar deri më tani.
Mes të tjerash, Donald Trump ka konfirmuar se propozimi i tij për zhvendosje masive në Gaza nuk përfshin të drejtën e kthimit për palestinezët në enklavë. Në një intervistë me Fox News, të transmetuar pjesërisht të hënën, i pyetur nëse palestinezët do të lejohen të kthehen në territorin e tyre sipas planit të tij, Trump tha: “Jo, nuk do ta bënin”.
Propozimi i Trump për zhvendosjen e palestinezëve është refuzuar vazhdimisht nga banorët e Gazës dhe shtetet arabe dhe është etiketuar nga mbrojtësit e të drejtave dhe Kombet e Bashkuara si një propozim për spastrim etnik.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri tha se deklarata e Trump se palestinezët nuk do të mund të kthehen në Gaza ishte “e papërgjegjshme”.
Trump tha gjithashtu se ai mund të ndalojë ndihmën për Jordaninë dhe Egjiptin nëse ata nuk marrin refugjatët palestinezë që zhvendosen nga Gaza, ndërsa theksoi se do të takohet me mbretin Abdullah të Jordanisë për të diskutuar këtë çështje.
Klan News