Çfarë po ndodh në Vrith, aty ku Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dyshohet se u vranë nga kushëriri i tyre
Më 3 Tetor, Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj u larguan nga shtëpitë e tyre për të mos u kthyer më. Konflikti për kanabisin i mori atyre jetën. Ishte pikërisht kushëriri i tyre Danjel Pepaj, të cilin ata e akuzonin se u kishte vjedhur një sasi droge, që dyshohet se i ekzekutoi më armë zjarri.
Pas kërkimeve disa ditore, trupat e tyre të pajetë u gjetën në malet e fshatit Vrith, të Malësisë së Madhe.
Paraditen e kësaj të premteje, familjet Çutaj dhe Pepaj kanë hapur dyert e mortit. Korrespondetja e Tv Klan në Shkodër, Emi Kalaja, sjell pamjet nga banesat e viktimave.
Në to shihen njerëz të cilët që prej mëngjesit shkojnë për të shprehur ngushëllimet familjarëve, për humbjen e djemve. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së Danjel Pepaj ndodhet policia.
Babai i tij, Rrok Pepaj, u arrestua për kultivim të bimëve narkotike. Ndërsa djali 25-vjeçar, i cili dyshohet të jetë arratisur jashtë vendit, është shpallur në kërkim si autor i vrasjes së dyfishtë.
Familjet e të rinjve, përveç humbjes së tyre, tanimë rrezikojnë që të përballen edhe me një plagë të vjetër të shoqërisë tonë, atë të gjakmarrjes./tvklan.al