Si çdo vit, tregtimi gjelave të detit për tryezën e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, do të kryhet në tregun e Baldushkut. Teksa inspektoi tregun, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ftoi qytetarët e Tiranës, por edhe strukturat akomoduese, si hotele, bujtina që ta blejnë gjelin e detit në Baldushk, si mënyrë për të kontribuar në ekonominë e zonës.

“Kur blen një produkt të prodhuar në fshatin tonë, ke kontribuar në familjen e fshatit tonë. Kjo do të thotë se ke kontribuar, që këta fëmijë të blejnë librat e shkollës, rrobat e tyre, që të ndjekin një kurs pas mësimit, të merren me aktivitete kulturor, ndaj i ftoj të gjithë ta shohin si një mision për të siguruar mirëqenie në këtë komunitet, për të ndihmuar djemtë e vajzat, burrat e gratë, që punojnë tërë jetën dhe tërë vitin me këtë produkt, që është një krenari për Tiranën tonë”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, nga prodhimi i 50 mijë gjelave të detit, arrihen të qarkullojnë 3-5 milionë Euro për këtë komunitet.

“Kjo zonë prodhon 30-50 mijë gjela çdo vit, që përkthehet në 3-5 milionë euro të cilat investohen në këtë javë të vetme të festave të fund vitit, në këtë komunitet. Kjo tokë mund të prodhojë ekonomi, mund të prodhojë mirëqenie dhe fakti që shumë prej fermerëve, që deri dje punonin tokat e grekut e italianit, sot punojnë tokën e tyre, rrisin gjelat e tyre, kultivojnë fermën e tyre. Do të thotë se mund të bësh prokopi dhe ekonomi edhe këtu në Shqipëri”, tha Veliaj.

Blerja e produkteve vendase, sipas kryebashkiakut Veliaj, u jep mundësi qytetarëve që të zgjedhin edhe produkte bio.

Tv Klan