Paraditen e së hënës Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian votoi heqjen e vizave për Shqipërinë, ndërsa ditën e sotme Komisionieri për Zgjerimin e BE, Stefan Fule deklaroi se Shqipëria nuk mund ta marrë statusin e vendit kandidat për momentin.

Shkaku i mosdhënies së statusit të vendit kandidat në BE sipas Komisionit Europian është politika shqiptare, çka pritet të ngjallë një debat mes mazhorancës dhe opozitës.

Për të diskutuar mbi heqjen e vizave dhe statusin e vendit kandidat, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Preç Zogaj, Artur Zheji dhe Andi Bushati.

“Absolutisht asgjë nuk mund ta fshijë lajmin që kanë marrë shqiptarët dje dhe që do ta gëzojnë së shpejti. Shqiptarët sot kanë marrë lajmin e dytë të mirë sa i përket perspektivës europiane. Natyrisht ka punë dhe klasa politiek shqiptare duhet ta analizojë me kujdes, por lajmin e mirë të heqjes së vizave askush nuk ka fuqi ta nxijë”, u shpreh ministri Basha./tvklan.al