Prokuroria nuk përjashton akuzën e “vrasjes me dashje”
Prokuroria e Tiranës është në përfundim të hetimeve në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe pritet që efektivi Nevaldo Hajdaraj të njihet zyrtarisht me akuzën.
Edhe pse ai u arrestua mëngjesin e 8 Dhjetori për vrasje në tejkalim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, hetuesit kanë siguruar prova të tjera që duket se kanë rënduar pozitat e tij. Pas analizimit të pamjeve filmike, Hajdaraj shfaqet teksa pozicionohet në rrugicë dhe më pas qëllon me armën e shërbimit mbi viktimën.
Burime nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se hetuesit nuk përjashtojnë ngritjen e një akuze më të rëndë për policin e “shqiponjave”, atë të vrasjes me dashje. Grupi hetimor argumenton se mënyra se si Hajdaraj ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit pa u gjendur në kushte për t’u mbrojtur, por edhe për faktin se ka marrë pozicion qitje, çon në kushte të tjera të kryerjes së krimit.
Gjithashtu rezulton se viktima është është qëlluar në shpinë në momentin që ka qenë duke u larguar me vrap. Nesë gjykata e gjen fajtor Hajdarajn për këtë vepër penale, ai do të vuajë dënimin deri në 20 vite heqje lirie. Klodian Rasha u vra nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj në orët e para të mëngjesit të 8 Dhjetorit.
Tv Klan