Gjykata e Posaçme ka firmosur 24 masa sigurimi pas dyshimeve për abuzim me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës. 5 prej tyre janë zyrtar në këtë institucion të lartë të arsimit, mes tyre administrator, Edmond Tërthorja.

Për ta gjykata ka dhënë masën e arrestit në burg, ndërsa do të hetohen në masën arrest në shtëpi 10 persona, ndërsa 9 të tjerë me detyrim paraqitje. Mbi ta rëndojnë dy akuza: korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Rektori i Universitetit, Fatbardh Sallaku, i ka kërkuar Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që të dëgjohet në lidhje me këtë hetim të SPAK, kërkesa që është pranuar nga Kryeministri Rama.

Në një reagim në rrjetet sociali kreu i qeverisë thekson se 24 masat janë dhënë pa gjyq.

“Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve me parë në shumën totale më pak se 30 milionë Lekë!”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson në reagimin e tij, se rektori Sallaku nuk rezulton i lidhur me këtë hetim. Sipas tij, ai flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njehsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë2030.

Klan News