Universiteti Bujqësor më shume se çdo universitet tjetër në vend është prekur nga fenomeni i regjistrimit të ulët të studentëve. Por binjakëzimi me universitetin e BOKU të Vjenës që u firmos këtë të martë synon të sjellë interes në rritje jo vetëm të numrit, por dhe cilësisë së studentëve që do të duan të marrin një diplomë në Universitetin Bujqësor.
Kryeministri Edi Rama, që merr mbi vete meritat për arritjen e një marrëveshje me universitetin 150-vjeçar austriak, flet për arsyet përse ndërmori personalisht iniciativën për të negociuar për bashkëpunimin mes dy universiteteve.
“Përpara tre vitesh kishit një situatë jo të lehtë me rekrutimet e studentëve dhe rektori kërkoi mbështetje që të më bindnin mua për të ulur mesataren e hyrjes në Universitetin Bujqësor. Unë isha absolutisht kundër kësaj ideje E i thashë rektorit që ne duhet të synojmë ta bëjmë Universitetin Bujqësor atraktiv duke e ndërkombëtarizuar dhe duke u bashkuar me një universitet ekselence në Europë me synimin që Universiteti Bujqësor i Tiranës të jetë një universitet ku ti je në Tiranë, por merr gjithçka që do merrje nëse do shkoje në Vjenë dhe në fund fare të marrësh një diplomë, që është një diplomë që ka të njëjtën vlerë”, tha Rama.
Rektori Fatbardh Sallaku, të cilit Rama gjithmonë i drejtohet si një mbështetës i PD në gjithë këto vite, ka kërkuar për shumë para nga qeveria për reformimin e universitetit, por Rama i rreshton me shifra fondet e dhëna, që sipas tij nuk i ka marrë asnjë universitet tjetër në vend.
“7 milionë euro për fermën, 3 milionë euro për rindërtimin nga tërmeti, 2 milionë euro për godinën e klinikës. Fillimisht 500 mijë euro për ndërkombëtarizimin dhe pastaj 2 milionë euro për programin e përbashkët me BOKU-n. Një milionë euro për PKZH. Pra janë rreth 16 milionë euro të dhëna drejtpërdrejtë për Universitetin Bujqësor, pa llogaritur konviktet e rindërtuara”, u shpreh kryeministri.
Programi strategjik për transformimin e Universitetit Bujqësor në një qendër ekselence sipas kryeministrit do të ketë ndikim të fortë në ekonominë, në bujqësinë, në zhvillimin rural, por dhe influencë rajonale.
Tv Klan