Raketat e Hezbollahut goditën qytetin e tretë më të madh të Izraelit, Haifa, duke plagosur rreth 10 dhjetë persona në veri të vendit në përvjetorin e parë të luftës në Gaza. Grupi militant Hezbollah shënjestroi një bazë ushtarake në jug të qytetit izraelit me raketa “Fadi 1”. Mediat thanë se dy raketa goditën Haifën dhe pesë goditën Tiberiasin, 65 km larg. Policia tha se disa ndërtesa u dëmtuan, dhe kishte raportime për lëndime të lehta, me disa njerëz të dërguar në një spital aty pranë.

Nga ana tjetër ushtria izraelite tha se avionët e saj luftarakë goditën objektiva që i përkasin Shtabit të Inteligjencës së Hezbollahut në Bejrut, duke përfshirë qendrat e komandës dhe objektet shtesë të infrastrukturës. Gjatë orëve të fundit, sulmet ajrore goditën disa objekte në zonën e Bejrutit, ku sipas ushtrisë izraelite ruhen armët e Hezbollahut.

Sulmet ajrore goditën gjithashtu objektivat e Hezbollahut në Libanin jugor dhe zonën Beqaa, duke përfshirë objektet e magazinimit të armëve, vendet e infrastrukturës, një qendër komandimi dhe një lëshues raketash.

Ndërkaq Komandanti i Forcave Quds të Iranit, Esmail Qaani, i cili udhëtoi për në Liban pas vrasjes së muajit të kaluar të liderit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah në një sulm ajror izraelit, nuk dihet se ku ndodhet, që nga sulmet në Bejrut në fund të javës së kaluar. Mediat shkruajnë se Qaani ishte në periferitë jugore të Bejrutit, gjatë një sulmi. Forca Quds, krahu i jashtëm i Gardës Revolucionare të Iranit, mbikëqyr marrëdhëniet me milicitë aleate me Teheranin në të gjithë Lindjen e Mesme, si Hezbollahu.

Avioni i fundit që transportonte shtetas të Mbretërisë së Bashkuar nga Libani u ul në aeroportin e Birmingham. Autoritetet iraniane kanë njoftuar rifillimin e trafikut ajror , pasi disa fluturime u anuluan, mes paralajmërimeve të Izraelit se do të hakmerret për sulmin raketor të Teheranit.

Klan News