Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Çështja Veliaj ka mbajtur sërish mbërthyer vëmendjen mediatike, madje zgjimin mediatik të shqiptarëve e ka bërë sot kryeministri Rama në një transmetim të drejtpërdrejtë që ka shprehur në njëfarë mënyre qëndrimin e tij lidhur me çështjen Veliaj. Ka një ndryshim krejtësisht në kursin e Ramës në raport me SPAK-un, por edhe me çështjen Veliaj, edhe pse paraprakisht ai kishte garantuar një lloj mbrojtjeje për Veliajn. Qëndrimi i tij ka qenë më i prerë, më i drejtpërdrejtë. Ai ka folur herët në mëngjes, madje duke pasur një incident të vogël ku ishte online në Instagram, por kuptoi se i kishte rënë Facebook, një moment që u bë viral por që më pas ai vetë e komentoi duke thënë që është pasionant. Ai ka folur dy herë të tjera sërish për çështjen Veliaj. Dy herë, paradite e pasdite ka vizituar bashkinë e Tiranës për të parë mbarëvajtjen e punëve. Tirana ka thuajse 42% të votuesve të të gjithë Shqipërisë. Burgosja e kreut të bashkisë së Tiranës që ishte edhe drejtuesi real i fushatës në Tiranë mund të ketë mjaft probleme për Ramën. Pikëpyetja e dytë është a do të ndikojë politikisht burgosja e Veliajt në zgjedhjet e 11 majit? Sot ka qarkulluar dosja që ka çuar Prokuroria e Posaçme për të marrë masën e arrestit për Veliajn, bashkëshorten e tij dhe një numër biznesmenësh.