Prej 1 viti Lulzimi endej dyerve të spitaleve, me shpresë kurimin e fëmijëve të tij që vuajnë nga një sëmundje e rrallë e veshkave.
Familja jeton në fshatin Shëmrizë në Gramsh. Por, prej gjendjes shëndetësore të fëmijëve, Lulzimi ka qenë i detyruar t’i mbajë të shtruar në spital në QSUT. Me fëmijët brenda rrinte bashkëshortja e tij, ndërsa Lulzimi prej muajsh qëndronte në një stol pranë pediatrisë.
Trajtimin mjekësor të fëmijëve e mori përsipër një shoqatë shqiptare në Itali, të cilët i kanë thënë se do të kujdesen për gjithë procesin e kurimit. Por, problemi i Lulzimit ishte pamundësia ekonomike për të shkuar dhe qëndruar atje, pasi mjekët në Itali kanë thënë se i gjithë trajtimi mund të zgjasë afro 1 vit.
Lulëzimi bëri apel për të mbledhur disa të ardhura për të siguruar jetesën për kohën e kurimit të fëmijëve. Apelit të tij ju përgjigjën dhjetra donatorë, dhe brenda 4 ditësh u mblodhën 20 mijë euro. Pak ditë më parë ai së bashku me familjen e tij u nisën drejt Italisë, ku do të kurohen fëmijët.