Hungaria merr zyrtarisht Presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Qeveria e saj ka paralajmëruar se do të përqendrohet në shtatë fusha, mes tyre: rritja e konkurrencës e BE-së, forcimi i politikës së mbrojtjes, zgjerimi dhe frenimi i migracionit të paligjshëm.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban në fjalimet dhe intervistat e tij në shtëpi, ka pohuar vazhdimisht se BE kërcënon sovranitetin hungarez, po shkatërron klasën e mesme të saj dhe po sulmon sektorin bujqësor të vendit. Kjo është arsyeja pse ai tha se duhej të shkonte në Bruksel dhe “të shkundte strukturat e pushtetit atje”.
Gjatë vitit të kaluar, Hungaria ka përdorur veton e saj për të bllokuar vendimet e shteteve të tjera anëtare në nivel të BE-së. Megjithatë, pavarësisht nga skepticizmi, ministri hungarez për Çështjet Evropiane, Janos Boka ka thënë se Budapesti do të jetë një ndërmjetës për shumë çështje themelore.
Një çështje veçanërisht prekëse është tërheqja e luftës midis Orban dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për ndihmën financiare për Hungarinë. BE-ja ka ngrirë 30 miliardë Euro (32.1 miliardë Dollarë) fonde për Hungarinë për shkak të një kërcënimi shumë real të korrupsionit në Budapest, si dhe faktit që Brukseli thotë se gjykatat në Hungari nuk janë më të pavarura.
Nga ana tjetër, Hungaria nuk i ka dhënë Ukrainës absolutisht asnjë arsye për të shpresuar për përparim në negociatat e pranimit që Kievi dhe Brukseli filluan më 25 Qershor. Aktualisht, Hungaria po refuzon të lëshojë rreth 6.5 miliardë Euro në fondet e BE-së për ndihmë ushtarake dhe qeveria Orban nuk ka thënë nëse do të përdorë të drejtën e vetos gjatë gjashtë muajve të saj në krye.
Nga 1 Korriku deri më 31 Dhjetor, Hungaria do të udhëheqë mbledhjet e këshillit, do të përcaktojë axhendën dhe si dhomë e dytë legjislative, do të kryesojë negociatat me Parlamentin Evropian. Në këtë detyrë, Hungaria pason Belgjikën, e cila ka pasur kryesimin e BE-së në gjashtë muajt e parë të vitit. Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm, ajo do t’ia kalojë këtë rol Polonisë.
Klan News