Edhe përkundër deklarimeve të Komisarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund t’i ndajnë rrugët në procesin integrues, të njëjtin mëndim nuk e ndan edhe Ministri hungarez, Peter Sijarto. Ai edhe sot e shprehu përkrahjen e fuqishme të Hungarisë për Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht për Maqedoninë e Veriut.
“Besoj që deri më tani kam thënë 1000 herë, por do ta përsëris për herën e 1001… Hungaria është përkrahëse e pa rezervë e integrimeve evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pa rezerve ju kemi përkrahur edhe për anëtarësimin në NATO dhe jemi të mendimit se vendi juaj është në Unionin Evropian. Unioni Evropian nuk mund të jetë i kompletuar pa shtetet e Ballkanit perëndimor. Nëse kjo varej nga ne, ju shumë shpejt do të bëheshi anëtarë të BE-së. Edhe Qeveria jonë edhe Z. Varhej, jemi përkrahës të përkushtuar të integrimit tuaj në BE”.
E homologu i tij, Bujar Osmani, beson se mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët me qeverinë teknike bullgare.
“Unë ende besoj se ekziston mundësi që të fillohet me bisedime më thelbësore edhe me qeverinë teknike në Bullgari. Dua ta paralajmëroj një aktivitet më të madh diplomatik javën e ardhshme që eventualisht të gjejmë zgjidhje që do të na mundësojë që të tejkalojmë këtë hap që të mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare në qershor. Nuk mund të garantoj për epilogun e këtyre bisedimeve”.
Osmani potencoi se pozicioni i Maqedonisë është i qartë, nëse respektohet Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, probleme nuk duhet të shfaqen. Osmani tha se me Bullgarinë nuk po bisedohet për çështje të identitetit.
Kjo është vizita e dytë në 13 muajt e fundit e Ministrit të Jashtëm hungarez, Sijarto. Në prill të vitit të kaluar, erdhi me donacion për punonjësit shëndetësor, e edhe kësaj radhe nuk erdhi me duar zbrazur. Shteti hungarez dhuroi 6000 doza të vaksinës AstraZeneca për policinë kufitare të Maqedonisë së Veriut.
Klan Macedonia