Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e krijimit jashtë territorit të Unionit, të qendrave të riatdhesimit të emigrantëve të jashtëligjshëm, të ngjashme me atë të Gjadrit në Shqipëri.

Plani parashikon dërgimin e menjëhershëm në kampe të ngritura në vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, të të gjithë të huajve të cilëve u refuzohet azili në vendet e Unionit. Kthimi i tyre në vendet e origjinës të bëhet përmes këtyre kampeve.

Nisma që ka gjetur mbështetjen e vendeve si Austria, Bullgaria, Greqia, Italia e Gjermania, synon t’u japë fund praktikave të lëvizjes lirisht në vendet e BE-së të azilkërkuesve të refuzuar, të cilët kohët e fundit kanë qenë autorë edhe të sulmeve të ndryshme terroriste. Ligjet aktuale të Unionit ndalojnë autoritetet të dërgojnë emigrantët pa vullnetin e tyre në vende të treta.

Pritet që Komisioni të parashtrojë brenda këtij muaji edhe një ligj që mundëson këtë projekt. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka shprehur më herët mbështetje edhe për modelin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë, për kampe të përpunimit të kërkesave për azil jashtë territorit të Unionit.

Tv Klan