Udhëheqësit botërorë dhe të industrisë së teknologjisë janë mbledhur në Paris për një samit dy ditor mbi Inteligjencën Artificiale.
E bashkëorganizuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministri indian Narendra Modi, qëllimet e deklaruara të mbledhjes përfshijnë “hartëzimin” e Inteligjencës Artificiale në të gjithë botën.
Vetë presidenti francez ka deklaruar se do të ketë 109 miliardë Euro investime në Inteligjencën Artificiale në vitet e ardhshme në Francë. Sipas Macron paratë do të vijnë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, fondet amerikane dhe kanadeze dhe kompanitë franceze.
Pjesëmarrësit e profilit të lartë përfshijnë zëvendëspresidentin e SHBA JD Vance, në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit që nga marrja e detyrës, dhe zëvendëskryeministri kinez Zhang Guoqing. Vance së bashku me gruan e tij Usha dhe tre fëmijët e tyre u përshëndetën nga Ministri i jashtëm i Francës dhe i ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA, David McCawley.
Samiti vjen në një kohë tensionesh mes BE-së dhe SHBA-së teksa Trump ka rritur kërcënimet për të vendosur tarifa ndaj Bashkimit Evropian.
“BE nuk sheh asnjë justifikim për vendosjen e tarifave për eksportet e saj. Ne do të reagojmë për të mbrojtur interesat e bizneseve, punëtorëve dhe konsumatorëve evropianë nga masat e pajustifikuara. Vendosja e tarifave do të ishte e paligjshme dhe ekonomikisht jo produktive, veçanërisht duke pasur parasysh zinxhirët e prodhimit që BE dhe SHBA krijuan përmes tregtisë dhe investimeve transatlantike”, tha Komisioni Europian në një deklaratë.
Ndryshe nga samiti i sigurisë së AI në Mbretërinë e Bashkuar, samiti francez i Inteligjencës Artificiale mund të nxisë delegacionet që të kërkojnë investime të mëdha në shumë fusha si trajtimin e sëmundjeve ose lehtësimin e jetës për njerëzit, interesin publik, të ardhmen e punës, inovacionin dhe kulturën.
Klan News