Punonjësit e Task Forcës, të cilët kishin shkuar në fshatin Velçan për të verifikuar personat me ndihmë ekonomike, janë kërcënuar nga një person i armatosur.
Sipas informacioneve paraprake që ka arritur të sigurojë korrespondentja e Klan News, Daniela Zisi, personi i identifikuar si S. Ç., i cili rezulton dhe i shpallur në kërkim, u ka dalë para punonjësve të Task Forcës në momentin që ata i janë afruar banesës për të kryer detyrën. Njëri prej punonjësve ka konstatuar se ai mbante një armë zjarri tip pistoletë.
Ai debatoi me shoferin e Task Forcës, më pas persona të tjerë kanë ndërhyrë për t’i qetësuar dhe punonjësit janë strehuar në një prej familjeve të fshatit. Mësohet se ai është larguar dhe po kërkohet nga forcat e policisë që kanë mbërritur në fshat dhe po krehin zonën.
S. Ç. është shpallur në kërkim 2 vite më parë pasi ka plagosur në një lokal në Pogradec një shokun e tij. Pas ngjarjes ai mundi t’i shpëtonte policisë dhe prej dy vitesh rezultonte në kërkim.
Klan News