Teleskopi hapësinor James Webb ka zbuluar një botë të panjohur më parë. Vëzhgimet e reja kanë treguar një planet të mbuluar në një oqean që zien.

Planeti ujor, i quajtur TOI-270 d është një ekzoplanet i largët rreth 70 vite dritë larg. Në atë u gjetën avuj uji, metan dhe dioksid karboni. Kjo përzierje kimike përkon me atë çfarë mund të gjendet në një planet ujor me një atmosferë të pasur me hidrogjen.

Kërkuesit e Universitetit të Kembrixhit thonë se edhe pse planeti ka një sipërfaqe të mbuluar nga oqeani, nuk shohin një peizazh ujor. “Oqeani duhet të jetë deri në 100 gradë ose më shumë”, u shpreh Nikku Madhusudhan, i cili drejtoi studimin.

Sipas ekipit, një oqean kaq i nxehtë do të ishte ende i lëngët nëse presioni atmosferik do të ishte i lartë sa duhet, por “nuk dihet nëse do të ishte i banueshëm”. Në të nuk ka as amoniak i cili duhet të ishte i pranishëm në një atmosferë me hidrogjen dhe avuj uji, por do të ishte në sasi më të vogël nëse poshtë do të kishte një oqean pasi amoniaku është i tretshëm.

Një anë e planetit është e orientuar nga ylli që e ndriçon ndërsa tjetra është gjithnjë në errësirë të plotë çka krijon një kontrast të skajshëm temperaturash. “Oqeani do të ishte shumë i nxehtë në anën e ndriçuar. Ana e errët mund të ketë kushte për zhvillimin e jetës”.

Planeti ka një presion atmosferik dhjetëra deri në qindra herë më të lartë se sa Toka jonë./tvklan.al