Që nga nëntori i vitit të kaluar, ish-presidenti i Kosovës dhe njëri nga themeluesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, gjendet në paraburgim në Hagë.

Në këto kohë aspak të lehta për të, Thaçi herë pas here ka pasur vizita nga familjarët dhe miqtë e tij.

Së fundmi, ish-lideri politik i UÇK-së është vizituar nga i vëllai, Blerim Thaçi si dhe nga dy miqtë e tij, Hamdi Krasniqi dhe Milaim Cakiqi.

Ky i fundit ka bërë një postim në llogarinë e tij në “Facebook” ku dhe ka shkruar për takimin që kishin me Hashim Thaçin.

Në postimin e tij, Cakiqi ka thënë ndër të tjera se Thaçi “ka qenë, është dhe vazhdon të jetë i pathyeshëm si në luftë, në liri dhe në paraburgim”.

”T’fala nga Haga! Hashim Thaçi ishte i ri kur e nisi rrugëtimin për liri dhe pavarësi. Me besim të palëkundur e bëri luftën dhe paqen. E bëri historinë e re dhe Kosovën e re. Me besim të palëkundur po qëndron edhe në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, i privuar nga liria, por i pathyer, i panënshtruar dhe i pa dorëzuar. U ndjeva shumë mirë që e pashë, pas vizitës që kisha dje në Hagë, sepse takimet me të kudo janë frymëzuese. Një lider i formësuar në vitet më të rënda që përjetoi populli ynë, nuk mund të thyhet nga askush. Hashim Thaçi ka qenë, është dhe vazhdon të jetë i pathyeshëm. Në luftë, në liri, në paraburgim, kudo, ai është i madh!”, ka shkruar Cakiqi./tvklan.al