Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 5 vjet e 8 muaj burg ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ai u dënua me 8 vjet e 6 muaj burg, por dënimi iu ul me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Sa i përket ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, gjykata e shpalli të pafajshëm për këtë çështje.
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri u dënuan me nga 10 vjet burg. Edhe ata përfitojnë prej gjykimit të shkurtuar dhe dënimi iu ulet në 6 vjet e 8 muaj burg.
Për administratoren e shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k Stela Gugallja, u vendos 7 vjet burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i ulet në 4 vjet e 8 muaj.
Me nga 4 vite burg u dënuan Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo që iu ulet në 2 vjet e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gazetarja Glidona Daci mësoi se marzhi i dënimit është më i ulët se sa koha që Abeshi ka kaluar në paraburgim dhe për këtë arsye u kërkua shuarja e masës së sigurisë dhe të lirohet menjëherë.
Sa i përket Zeqos ajo do duhet të kalojë në burg pjesën e mbetur të dënimit, pasi ka qenë në arrest shtëpie.
Serafin Pepa u dënua më 2 vite burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 1 vit e 4 muaj burg. Edhe atij i është shuar masa e sigurimit pasi ka qenë në arrest shtëpie.
Bardhyl Çabiri u dënua me 2 vite burg, por edhe për të u kërkua që të lirohet pasi marzhi i dënimit është më i ulët se koha e qëndrimit të tij në paraburgim.
Sa i përket shoqërisë që ka fituar koncensionin për ndërtimin e inceneratorit “Albtek Energy” sh.p.k duke qenë se ishte proceduar si person juridik u vendos të mbyllet si kompani dhe të konfiskohen pasuritë e tundshme dhe të patundshme që ka.
Dënimet për inceneratorin e Elbasanit
Lefter Koka u dënua me 8 vite e 6 muaj burg – Për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 5 vite e 8 muaj burg
Alqi Bllako u shpall i pafajshëm
Klodian Zoto u dënua me 10 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 6 vite e 8 muaj burg
Mirel Mërtiri u dënua me 10 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 6 vite e 8 muaj burg
Stela Gugallja u dënua me 7 vite burg, por për shkak të gjykimi të shkurtuar i ulet në 4 vjet e 8 muaj burg
Pëllumb Abeshi u dënua me 4 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 2 vjet e 8 muaj (Lirohet pasi marzhi i dënimit është më i lartë se qëndrimi në paraburgim)
Jonida Zeqo është dënuar me 4 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 2 vite e 8 muaj burg (Ishte në arrest shtëpie. Pjesën e mbetur të dënimit do ta kryejë në burg)
Bardhyl Çabiri u dënua me 2 vjet burg (Lirohet pasi marzhi i dënimit është më i lartë se qëndrimi në paraburgim)
Serafin Papa u dënua me 2 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet në 1 vit e 4 muaj burg (Lirohet pasi ka qenë në arrest shtëpie)
Kujtojmë që SPAK kërkoi 57 vite burg për të pandehurit për këtë çështje. SPAK arsyetoi se është shkelur ligji i prokurorimeve publike, pasi dhënia e koncensionit dhe lidhja e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është bërë me negocim dhe pa shpallje paraprake të njoftimit (Lexo më shumë).
Organi u akuzës pretendoi se është provuar përtej çdo dyshimi arsyetimi se ishte paracaktuar që koncesioni të fitohej nga kompania e Stela Gugalljas dhe punimet të kryheshin nga kompania e Klodian Zotos.
SPAK, pretendoi se nëpërmjet lëshimit të faturave fiktive nga kompania i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 3.7 milionë. Prokuroria thekson se ish-ministri Lefter Koka ka marrë para në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive. Ai ka përdorur për të fshehur burimin e të ardhurave, 4 shoqëritë të tjera tregtare të kontrolluara nga të afërm të tij.
Kujtojmë se ish-ministri Lefter Koka, Alqi Bllako, Klodian Zoto dhe Pëllumb Abeshi janë dënuar edhe më parë nga gjykata e posaçme për çështjen e inceneratorit të Fierit (Lexo më shumë)./tvklan.al