Biznesmeni Behxhet Pacolli, një nga investitorët që ndihmoi për rindërtimin e shtëpive në Thumanë  të prekura nga tërmeti, gjatë konferencës në inspektimin e tyre u shpreh i lumtur për projektin. Ai tregon momentin kur është takuar me Kryeministrin Rama me të cilin ka zhvilluar një bisedë për të mundësuar strehimin e qytetarëve të cilët mbetën pa strehat e tyre të sigurta nga fenomeni natyror i 26 Nëntorit.

Unë nuk kam mbështetur asnjë parti dhe ideologji politike, por kam mbështetur idetë e mira, kam mbështetur qytetarin e Shqipërisë që kanë qenë ata që kanë paguar më së shumti nga tërmeti i vitit 2019 dhe kam mbështetur idenë e Kryeministrit pas një bisede të shkurtër që pata me të vetëm dy ditë pas tërmetit. Pashë se dëshira dhe preokupimi i tij ishin tepër të mëdha që si t’ia bëjmë që sa më shpejt tiu garantojmë këtyre qytetarëve një kulm mbi kokë. Dhe unë nuk kam bërë asgjë tjetër veçse të kontaktoj familjen time, vëllezërit e kushërinjtë e mi të cilët në mënyrë bujare më janë përgjigjur menjëherë se do të kontribuojmë me atë që mundemi dhe ashtu si dimë. Falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë veprim shumë humanitar. Sot jam krenar që jam pjesë e këtij eventi dhe mundem të jem shumë, shumë i lumtur dhe i qetë shpirtërisht se edhe unë kam bërë diçka, për viktimat, për familjet që e pësuan nga tërmeti. Me fat u qofshin banesat e reja këtyre familjeve. U priftë e mbara dhe ju dëgjofsha mirë. Me këto familje do të vij rregullisht t’i vizitoj ata dhe të ndaj me ta kënaqësitë e jetës./tvklan.al