Punimet për 1069 apartamente të reja në zonën e kombinatit janë drejtë përfundimit. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj inspektoi nga afër pallatet të cilat u rindërtuan pas tërmetitit të 26 Nëntorit të vitit 2019.
Veliaj theksoi se puna për këto apartamente do të vijojë edhe gjatë verës, në mënyrë që respektohet afati për përfundimin e punimeve dhe që familjeve t’u dorëzohen sa më shpejt çelësat e apartamenteve.
Erion Veliaj: Do gëzojnë 1069 familje dhe do të fillojnë 1069 histori të tjera, histori të reja, histori me ëndrra për fëmijët të cilët nuk kanë nevojë të mbajnë mend tërmetin por të rifillojnë në një ambient të rio plotë me aspirata dhe me komunitet të ri. Ne do të vazhdojmë të punojmëgjithë verën, Qershor, Korrik, Gusht që kur njerëzit të kthehen nga pushimet ne të fillojmë me shortet për Kombinatin.
Përveç apartamenteve, punime po kryen edhe në një nga shkolla në këtë zonë, e cila pritet të jetë e përfunduar në muajin shtator.
Erion Veliaj: Ne do të sigurohemi që edhe shkolla e re “Musine Kokalari” të mbarojë në afat, pra ta fillojmë Shtatorin me një shkollë të re për komunitetin.
Kryebashkiaku nuk i harroi dhe akuzat ndaj opozitës, duke thënë se përpiqet që të pengojë punët e Bashkisë së Tiranës.
Erion Veliaj: Politika është futur në çdo pore dhe përpjekja për të penguar çdo gjë të mirë dhe çdo histori suksesi është titanike. Ne jemi ndarë në dy skuadra. Një skuadër me të gjithë bllokimet e partive nëpër gjykata e prokurori, me masa sigurie dhe me çështje pronësie të pavërteta, përveçse na humbin kohën kot, por nuk ndryshon asgjë. Ndërkohë që kemi edhe një ekip tjetër që punon në teren.
Kryebashkiaku u zotua se asnjë familje që iu dëmtua banesa nga tërmeti, nuk do të jetë jashtë vëmendjes së bashkisë dhe projekteve të saj.
Klan News