Interi do të ngrejë siparin e Serisë A, për sezonin 2024-2025. Kampionët në fuqi, përballen në transfertë me Genoa-n, në një sfidë ku duan me çdo kusht fitoren, për ta nisur me këmbën e mbarë.

Për këtë përballje, trajneri Simone Inzaghi, do të ketë dy mungesa të rëndësishme si mbrojtësi Stefan De Vrij dhe afrimi i kësaj vere, Piotr Zielinski.

Dy futbollistët në fjalë nuk janë rikuperuar në kohë dhe do të jenë jashtë listës. Kjo u konfirmua nga vetë trajneri zikaltër në konferencën për shtyp.

Inzaghi deklaroi se skuadra duhet të harrojë sezonin e kaluar dhe të përqendrohet tek ai aktuali, ku pret tre pikët në debutim, ndonëse e di se përballë është një kundërshtar i vështirë.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Të gjithë janë në dispozicion, përveç Zielinskit, i cili do të pushojë edhe për disa ditë dhe De Vrij.

Ka emocione të shumta për këtë debutim. Ne e dimë se çfarë kemi bërë në të kaluarën. Djemtë po stërviten me buzëqeshje, që do të thotë se ata punojnë më mirë. Ata janë të gjithë të motivuar.

Shumë skuadra do të përpiqen të fitojnë titullin kampion dhe unë mund të shoh më shumë cilësi. Të gjitha skuadrat kryesore kanë bërë përforcime, dhe klubet e mesit të tabelës kanë marrë gjithashtu lojtarë të shkëlqyer.”, deklaroi Inzaghi.

Ndeshja mes Genoa-s dhe Interit është planifikuar të luhet të shtunën e 17 gushtit, duke nisur nga ora 18:30. /tvklan.al