BSH: I afrohen vlerës së 1.5 miliardë eurove, rritje dhe remitancat

Investimet e huaja direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato shënuan vlerën e rreth 1.5 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë.

Ato vijojnë të thithen nga aktiviteti i pasurive të patundshme, industria nxjerrëse e ndërtimi. Totali i detyrimeve të investimeve të huaja direkte për vitin që lamë pas arriti në 1.49 mld euro, me një rritje prej 8.74% krahasuar me vitin e kaluar.

Investitorët më të mëdhenj në vendin tonë janë sipërmarrjet nga Holanda, Turqia, Italia e Austria.

Rritje kanë edhe remitancat. Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi i dërgesave të emigrantëve në fund të tremujorit të katërt të vitit që lamë pas arriti në 252 milionë euro. Kjo sasi parash pësoi një rritje me 4,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në total përgjatë një viti emigrantët shqiptarë dërguan në familjet e tyre 929 mln euro, me një rritje prej 11.3% krahasuar me vitin 2022.

Tv Klan