Raundi i fundit në rivalitetin më të rrezikshëm mes Izraelit dhe Iranit duket se ka përfunduar, tani për tani. Izraeli ende nuk e ka pranuar zyrtarisht se sulmi në Iran në orët e para të mëngjesit të së premtes ishte bërë nga ai.
Ndërkohë, liderët ushtarakë dhe politikë të Iranit kanë minimizuar pasojat e sulmit. Nga ana e tyre zyrtarët amerikanë folën për një sulm me raketa, por zyrtarët iranianë thanë se sulmet në provincën qëndrore të Isfahanit dhe në veriperëndim të Tabrizit, u shkaktuan nga dronë të vegjël shpërthyes.
Vetë presidenti iranian Ebrahim Raisi nuk e ka përmendur sulmin e së premtes izraelit ndaj Iranit, ndërsa lavdëroi publikisht operacionin e paprecedentë ushtarak iranian fundjavën e kaluar duke e cilësuar “Premtimi i Vërtetë”.
BBC shkruan se një operacion i kufizuar duket se ka sjellë një paralajmërim të fuqishëm se Izraeli ka inteligjencën dhe mjetet për të goditur sipas dëshirës zemrën e Iranit. Zyrtarët amerikanë kanë treguar gjithashtu se Izraeli shënjestroi vende të tilla si sistemi i radarit të mbrojtjes ajrore të Iranit, por mbetet e paqartë nëse kishte pasoja.
Ndërkaq ekspertët shprehen se suksesi i ushtrisë amerikane për të ndihmuar Izraelin të ndalojë një valë masive të raketave dhe dronëve iranianë tregon se Uashingtoni është i përgatitur mirë ushtarakisht për çdo gjë që vjen më pas.
Por zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm amerikanë thonë se forcat amerikane nuk janë të pozicionuara për një konflikt të madh e të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme dhe Pentagonit mund t’i duhet të rishikojë supozimet për nevojat ushtarake në rajon nëse kriza thellohet. Reuters shkruan duke cituar zyrtarë amerikanë se Irani nuk duket se dëshiron një luftë gjithëpërfshirëse me Izraelin dhe Teherani e ka minimizuar sulmin e së premtes.
Nga ana tjetër disa shpërthime janë raportuar në një bazë të Forcave të Mobilizimit Popullor në Irak ku tre ushtarë mbetën të plagosur. Sulmet kishin në shënjestër bazën ushtarake Kalsu pranë qytetit Iskandariya rreth 50 km në jug të kryeqytetit irakian Bagdad. SHBA ka mohuar çdo lidhje me shpërthimet.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë bërë një deklaratë publike për sulmin, por një zyrtar anonim izraelit për mediat amerikane është shprehur se Izraeli nuk ishte i përfshirë.
Klan News