Irani nuk ka komplotuar kurrë për të vrarë presidentin e zgjedhur e SHBA-së, Donald Trump. Kështu ka deklaruar Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, në një intervistë për NBC News, duke mohuar pretendimet nga Trump dhe qeveria amerikane.

“Ne kurrë nuk e kemi tentuar një gjë të tillë dhe nuk do ta bëjmë kurrë”, tha Pezeshkian, kur u pyet nëse ekzistonte një plan iranian për të vrarë Trump.

Në Nëntor, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së akuzoi një iranian në lidhje me një komplot të dyshuar të urdhëruar nga Irani për të vrarë presidentin e zgjedhur të SHBA-së.

Forcat e rendit e prishën planin e supozuar përpara se të kryhej ndonjë sulm. Trump tha gjithashtu vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore në SHBA se Irani mund të ketë qenë pas përpjekjeve për ta vrarë atë. Hetuesit nuk kanë gjetur asnjë provë për përfshirjen iraniane dhe Irani gjithashtu ka mohuar më parë pretendimet e SHBA-së për ndërhyrje në punët e SHBA-së, duke përfshirë edhe operacionet kibernetike.

Ndërkaq gjatë intervistës, Pezeshkian përsëriti gjithashtu se programi bërthamor i Iranit është paqësor dhe se Teherani nuk po kërkon “armë bërthamore”.

“Unë shpresoj se Trump do të ndihmojë për paqen në rajon dhe në botë, e jo anasjelltas të kontribuojë në gjakderdhje apo luftë. Ne do të reagojmë për çdo veprim. Ne nuk kemi frikë nga lufta, por nuk e kërkojmë atë,” tha Pezeshkian për NBC.

Edhe Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka deklaruar më herët se bisedimet e vazhdueshme me fuqitë evropiane tregojnë se ata janë seriozë për rifillimin e negociatave për programin bërthamor.

Klan News