Një deklaratë dorëzanie për një kredi prej 22 mijë eurosh ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babë e bir,  Vasilin me Irakliun. Ky i fundit është divorcuar nga ish-gruaja, Rigelsa me të cilën ka 3 vajza dhe kujdestaria i ka mbetur atij. Bashkë me vajzat, Irakliu jeton në shtëpinë e Vasilit që rrezikohet nga kjo deklaratë dorëzanie.

Siç shpjegoi Eni Çobani gjatë rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, rezulton se kredia është marrë disa muaj pas divorcit të tyre. Irakliu ka dalë dorëzanës për Rigelsën dhe bashkëjetuesin e  saj, Valdrinin.  Sipas kësaj deklarate, nëse dy të parët nuk shlyejnë kredinë, shoqëria do të marrë shtëpinë e Vasilit.

Deri në këtë moment, Irakliu thotë se nuk mban mend të ketë firmosur apo të ketë shkuar në bankë,  ndonëse dokumentet mbajnë nënshkrimin e tij dhe fotokopjen e kartës së identitetit. Rigelsa, ish-gruaja e tij në një lidhje teleofnike në studio thotë se Irakliu ka qenë i pranishëm. Madje asaj i janë hapur probleme sepse akuzohet për mashtrim firme.

Rigelsa: Unë kam folur me z. Irakli dhe z. Irakli ka qenë prezent kur ka hedhur firmën.

Eni Çobani: Po Irakliun e kemi këtu dhe Irakliu thotë që unë s’mbaj mend fare.

Irakli: Nuk më kujtohet  moj!

Eni Çobani: Rigelsa e mban mend shumë mirë që ke vajtur, arsyeja?

Rigelsa: Irakliu ka qenë prezent që ka hedhur firmën, më pas e kam marrë prapë Irakliun sepse mua më ka marrë zyra ligjore në telefon dhe më ka thënë që akuzohesh për mashtrim firme.

Irakli: Se s’më kujtohet, nuk më kujtohet, ia kam thënë edhe zyrës ligjore unë, nuk më kujtohet të kem vajtur!

Rigelsa: Atëherë nëse ty s’të kujtohet z. Irakli, shkojmë te banka kur të vij në Tiranë sepse unë jam në fshat tani te prindërit dhe unë do të kërkoj që të hapen kamerat.

E pyetur se cila ishte lidhja mes saj e ish-bashkëshortit pas divorcit, Rigelsa tha: “Asgjë nuk na lidhte neve, thjesht ishte diçka e  shpejtuar nga Irakliu sepse nuk është normale që të hedhë Irakliu firmën për bashkëjetuesin tim, jo për burrin tim, për bashkëjetuesin tim!” Ajo konfirmon se Valdrini është bashkëjetuesi i saj, ndërsa kredia nuk është shlyer prej muajsh, përveç ndonjë kësti kur kanë mundur.

Rigelsa ngulmon se Irakliu e mban mend mirë që ka qenë i pranishëm. Ajo thotë se nuk ka asnjë arsye që të merret shtëpia e Vasilit kur është ajo e Valdrinit, por ndërmjetësja i shpjegon se Irakliu është dorëzanësi. Ai nuk ka asnjë pasuri tijën dhe rrjedhimisht do të merret shtëpia e Vasilit. Rigelsa kundërshton duke thënë se edhe pse prej muajsh ka humbur kontaktet me bashkëjetuesin, do të jetë ai që do ta paguajë kredinë.

Rigelsa: Irakliu të mos thotë nuk mbaj mend fare.

Eni Çobani: Si nuk mbaj mend? Nuk mban mend pra!

Rigelsa: Në këtë pjesë që po thotë Irakliu nuk mbaj mend, akuzohem unë për mashtrim firme!

Eni Çobani: Çfarë doje ti në mars të ’23-shit me Irakli Milon? Ishe divorcuar në shtator të ’22-shit. Vetëm këtë përgjigje më jep, kaq! Kaq, çfarë doje ti në mars të ’23-shit?

Rigelsa: Këtë nuk e menduam thellë-thellë, neve thamë… diçka e pamenduar shumë.

Eni Çobani: Rigelsa, ju keni pasur besimin sepse ky djalë që unë shoh këtu, është një djalë shumë i mirë, një djalë i urtë, një djalë pa fjalë, ke pasur besimin që ky sigurisht duke mos kuptuar edhe veprimin që ka bërë sepse unë jam e bindur në fakt që ky ka qenë sepse firma patjetër që vërteton gjithçka pavarësisht faktit që thotë unë nuk mbaj mend, edhe mund të mos mbajë mend, por ju keni qenë e bindur që ky djalë sikurndër edhe e thatë, nuk do të ndihet, nuk do të flasë, të vazhdonte  kjo histori kështu dhe në fund patjetër që kjo barrë do t’i binte vetëm Irakliut se Irakliu edhe këtu mezi po thotë dy fjalë, pra më shumë folët ju gjatë  këtyre mintuave sesa Irakliu deri tani. Unë e kuptoj pse ju e keni marrë  sepse nuk ju është ofruar askush nga familjarët tuaj dhe keni gjetur këtë njeri, e keni çuar dhe e keni marrë. Kjo në fakt është e padrejtë, jo e paligjshme sepse njerëzit janë të rritur dhe bëjnë veprimet që duan, por është e padrejtë nga ana juaj. Ju me bashkëjetuesin tuaj shkoni dhe merrni ish-bashkëshortin tënd dorëzanës për një kredi të cilën ky njeri nuk ka parë asnjë lek në dorë. Lekët i keni marrë ju dhe ky njeri ka ardhur aty,  urtë e urtë pas teje, ka firmosur dhe sot e keni lënë në këtë ditë. Atëherë unë dua të di nga ju, e merrni përsipër të shlyeni këtë kredi dhe për sa kohë e kryeni këtë veprim? Nuk mund të presim Valdrinin, Valdrini nuk dihet se ku është sikundër e thatë, atëherë ju që jeni këtu, do të na jepni një afat për zgjidhjen e këtij problemi unë do të marr kontaktin e shoqërisë?

Rigelsa: Unë nuk mund të paguaj kredinë e Valdrinit.

Eni Çobani: Po Valdrini është bashkëjetuesi juaj, nuk është bashkëjetuesi i Irakliut.

Rigelsa: Valdrini është bashkëjetuesi im, por Valdrini ka 4-5 muaj që është zhdukur nga unë dhe nuk e di ku është Valdrini.

Eni Çobani: Po atëherë çfarë do të bëjmë? Kush do ta paguajë kredinë?

Rigelsa: Valdrini që e ka marrë./tvklan.al