“Detyrim paraqitje” për Sali Berishën, në pranga edhe Fatmir Bekteshi
Me kërkesë të SPAK, policia ka arrestuar dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin dhe bashkëpunëtorin e tij Fatmir Bektashi. Ndërsa për Sali Berishën gjykata ka caktuar detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për të mos udhëtuar jashtë vendit. Këto akuza janë ngritur pas padisë në vitin 2020 nga ish-kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për privatizimin të ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë.
Malltezi është arrestuar në Rinas teksa kthehej nga një udhëtim nga Gjermania. Në dosjen e SPAK e cila është hetuar nga Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, janë ngritur 3 akuza, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje Pasurie. Ndërsa masat janë firmosur nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Klubi sportiv “Partizani” ishte kompleksi në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes në rrugën “Frosina Plaku”, tek ish-Fusha e Aviacionit ku pas privatizimit u ndërtuan disa kulla. Privatizimi i këtij kompleksi ndodhi në vitin 2008. Në kuadër të hetimeve në SPAK kanë dëshmuar edhe disa ish-ministra të qeverisjes Berisha dhe disa ish-zyrtarë të lartë. Ndërsa oficerët e BKH-se më herët kanë kryer kontrolle në zyrën e Jamarbër Malltezit.
Me urdhër të Gjykatës janë sekuestruar pasuritë që zotëron Malltezi deri në përfundim të procesit gjyqësor. Ai u shoqërua nga Rinasi në paraburgimin që ndodhet në rrugën “Mine Peza” deri sa të dalë para gjykatës për konfirmimin e masës së sigurisë.
Klan News