Duke komentuar rrëmbimin e Jan Prengës për shkak të larjes së hesapeve mes bandave shqiptare për aktivitetin e paligjshëm në vendet e BE-së, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka treguar sa shqiptarë vuajnë dënimin në burgjet jashtë vendit.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Manjani theksoi se janë rreth 5 mijë shqiptarë nëpër burgjet jashtë Shqipërisë për vepra të ndryshme penale, kryesisht në Itali dhe Greqi.
Sipas tij, grupet kriminale shqiptare janë përfshirë kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike, dhe për të hyrë në këtë treg informal, veprojnë me agresivitet.
“Diku tek 5 mijë shtetas shqiptarë janë në burgje jashtë Shqipërisë. 5800 i kemi në burgjet në Shqipëri.
Në Greqi dhe Itali kemi shumicën e shqiptarëve, rreth 2 mijë për secilin shtet. Pastaj Anglia dhe Gjermania, vonë ka dalë Holanda. Për të hyrë në tregje informale, siç është tregtia e drogës, sigurisht do të hysh me agresivitet, kjo është specifika pse shqiptarët bëhen të rrezikshëm.
Ka dhe një mendjelehtësi mes nesh, që ku ka punë me lekë ne nuk pyesim. Kjo është tipologjia e shqiptarëve dhe këtë analizë e kishin bërë britanikët. Kjo është pak a shumë arsyeja pse ky lloj krimi, trafiku i drogës, në vitit e fundit është mbizotërues. Ky trafik funksionon në shtete me popullsi të madhe. Shqipëria është vend tranzit. Synohen tregje të ngritura. Aty krijohen dhe paratë e mëdha”, u shpreh ish-ministri Ylli Manjani. /tvklan.al