Policia ka arrestuar reperin Rigels Rajku, të njohur ndryshe si Noizy. Sipas Klan News, ai është arrestuar në Kune të Shëngjinit teksa po shkonte për të kënduar në një klub nate. Noizy ishte i kërkuar nga Policia e Kosovës. Bashkë me të është arrestuar edhe Bahtjar Bajraktari, DJ i tij i njohur si Crax.

Sipas Klan News, vepra penale për të cilën akuzohet është lëndimi i rëndë trupor. Klan News raporton se  bashkë me Arkimed Lushajn i cili njihet si Stresi dhe grupin e tij kishin rrahur më 2 gusht në Pejë personazhin e TikTok-ut, Medi Isenin.


PAMJET E SHERRIT


Kapja dhe arrestimi i Noizy-t dhe Bahtjar Bajraktarit është bërë me qëllim ekstradimin në Kosovë. Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim edhe Stresin.


Mbrëmjen e së martës, Noizy bëri edhe një reagim në rrjetet sociale lidhur me situatën. Në të ai pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë. Reperi garantoi se nuk është në arrati, por po e ndjek çështjen me avokatët e tij.

Ai shprehet i gatshëm për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë pasi e cilëson veten “viktimë të kallëzimit të rremë”.

Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatikë si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero!

Dua ta nis këtëreagim me një ndjesë të thellë ndaj atyre që janë shqetësuar nga reagimi im. Kjo ka ardhur si pasojë e indinjatës për një kallëzim të rremë e të padrejtë ndaj meje, pasi kurrë nuk jam përballur me situata të tilla e për pasojë fatkeqësisht nuk kam reaguar në nivelin që do të doja. Edhe njëherë, ndjesë.

Mirëkuptoj edhe median që bën punën e saj dhe i kërkoj ndjesë nëse janë keqkuptuar nga reagimi im i nxituar.

Sa më lart dua të bëj me dije që garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë.

Bashkë me studion e avokatisë të kontraktuar nga unë, do kontribuojmë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj meje dhe sqaruar këtë ngjarje ku unë jam viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk kam asnjë lidhje.

Duke ju falënderuar për mirëkuptimin e përkrahjen dhe kërkuar ndjesë për këtë situatë të shëmtuar ku më kanë përfshirë.


Njoftimi i Policisë:

Kapen nga Fast Albania dhe vihen në pranga 2 shtetas të kërkuar nga Policia e Kosovës.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçame Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri.

Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina.

Kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.

/tvklan.al