Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka ngritur alarmin se temperaturat e oqeanit po rriten në Ishujt e Paqësorit me tre herë më shumë se norma në mbarë botën. Sipas tij ndotësit e mëdhenj kanë përgjegjësi për të ulur emetimet ose rrezikojnë një katastrofë në mbarë botën.
Duke folur me gazetarët në Tonga, ku po mbahet Forumi i Ishujve të Paqësorit, Guterres theksoi gjetjet e një raporti që tregoi se Paqësori Jugperëndimor ishte goditur më keq nga rritja e nivelit të detit, në disa vende me më shumë se dyfishi i mesatares globale në 30 vitet e fundit.
“Ne kemi parë që me rritjen e nivelit të detit, ndikimi është veçanërisht dramatik në Ishujt e Paqësorit. Epo, ajo që ne themi është se ne duhet të kemi një fazë largimi nga karburantet fosile që bëhet përmes një tranzicioni të drejtë, dhe kjo do të thotë se karburantet fosile duhet të hiqen gradualisht, që unë besoj se sot është provë shkencore. Pa hequr dorë nga karburantet fosile nuk ka asnjë mënyrë që të mbajmë temperaturën në 1.5 gradë.”
Raporti i Organizatës Botërore Meteorologjike për Gjendjen e Klimës në Paqësorin Jugperëndimor thotë se ky rajon përballet me ngrohje dhe acidifikim, një rritje në aciditetin e detit sepse po thith gjithnjë e më shumë dioksid karboni.
Sipas raportit, nivelet janë rritur mesatarisht 9.4 cm në 30 vitet e fundit, por në Paqësorin tropikal, kjo shifër ishte deri në 15 cm. Kjo mund të dëmtojë ekosistemet detare, si dhe të shkaktojë zbardhjen ose ngordhjen e gjerë të koraleve. Ujërat më të ngrohta të oqeanit dhe temperaturat e sipërfaqes së detit mund të sigurojnë gjithashtu lëndë djegëse për intensifikimin e cikloneve dhe stuhive tropikale. Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike valët e të nxehtit detar do të vazhdojnë të bëhen më të shpeshta dhe më intesive.
Klan News