Ka ardhur koha për të bërë një hap pas, tha Sekretari i përgjithshëm i OKB Antonio Guterres pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, orët e vona të së shtunës. Duke folur në Këshillin e Sigurisë së OKB, Guterres tha se njerëzit në Lindjen e Mesme përballen me rrezikun e një konflikti shkatërrues. Ai u bëri thirrje anëtarëve që të mos i përshkallëzojmë më tej tensionet me veprime hakmarrëse ndaj Iranit. “Tani është koha për të de-përshkallëzim. Si rajonit ashtu sikurse botës nuk i leverdis më shumë luftë”, tha Guterres.
Në të njëjtën mbledhje, përfaqësuesi i Izraelit në OKB, i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë që të vendosë çdo sanksion të mundësh kundër kombit të Iranit.
“Sot këshilli duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të dënojë Iranin për terrorin e tij”, tha ambasadori izraelit Gilan Erdan, në mbledhjen plot tensione.
Teherani lëshoi më shumë se 300 raketa drejt Izraelit, në atë që thuhet se ishte hakmarrje ndaj sulmit të ndodhur në fillim të këtij muaji në konsullatën iraniane në Damask. Mbetet e paqartë sesi Izraeli do t’i përgjigjet këtij sulmi, por ministri i kabinetit të luftës, Benny Gratz tha se Irani do ta paguajë me të njëjtin çmim, në kohën e duhur.
Këto sulme të Iranit shënojnë herën e parë në histori që ky vend godet drejtpërdrejtë territorin izraelit. Gjatë natës të së shtunës, alarmet ajrore ranë nëpër gjithë Izraelin dhe banorëve iu kërkua që të gjenin strehë, ndërkohë që dëgjoheshin shpërthimet pasi u aktivizuan mbrojtjet ajrore.
Irani lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa, tha Ushtria Izraelite të dielën, përshirë 170 dronë dhe 30 raketa lundruese. Distanca më e shkurtër e Iranit nga Izraeli është rreth 1 mijë kilometra përmes Irakut, Sirisë dhe Jordanisë.
Interceprimet ndezën qiellin në zona të ndryshme të vendit, ndërsa shumë sulme u goditën nga aleatët e Izraelit, përpara se të mund të arrinin në territorin izraelit.
Të paktën 9 vende u përshinë në përshkallëzimin ushtarak, me raketa që u lëshuan nga Irani, Iraku, Siria dhe Jemeni e që u shkatërruan në ajër nga Izraeli, SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe Jordania./tvklan.al