Organizata terroriste “Shteti Islamik” ka në shenjestër aktivitetet e mëdha të futbollit në Europë. Autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë para përballjeve të Champions League, pas informacioneve të shërbimeve të zbulimit se Shteti Islamik ka në shenjestër këtë aktivitet sportiv.
Kërcënime të drejtpërdrejta, terroristët lëshuan për 4 stadiumet ku luhen çerekfinalet e kësaj jave, përfshirë Santiago Bernabeun e Madridit dhe stadiumin Emirates të Arsenalit.
Pak javë më parë, edhe autoritetet gjermane dhanë alarmin se Shteti Islamik kërcënon edhe Kampionatin Europian të futbollit që organizohet në periudhën Qershor-Korrik në këtë vend.
Qeveria në Berlin ka urdhëruar kryerjen e kontrolleve të rrepta në të gjitha qytetet ku do të luhen ndeshjet.
Edhe autoritetet franceze që kanë një kujtesë të hidhur me sulmet e shumta terroriste të Shtetit Islamik para gati 10 viteve, kanë shtuar masat e sigurisë në qytetet e mëdha.
Frikën nga terrorizmi e ktheu sulmi në sallën e koncerteve Crocus pranë Moskës i 22 Marsit, ku humbën jetën 144 persona.
Sipas paralajmërimeve të zbulimeve të vendeve të ndryshme, në shenjestër janë jo vetëm aktivitetet sportive por gjithë ambientet publike ku ka grumbullime të mëdha.
Tv Klan